Sport

Te Milan-i besojnë që De Ketelaere do t’i kryejë testet mjekësore në javën e ardhshme


Futbollisti i Club Brugge, Charles De Ketelaere, është duke u ndjekur me ngulm nga Milan-i dhe nga disa skuadra angleze.

Në mesin e skuadrave nga Anglia, ajo e Leeds United është favorit për transferimin e belgut, pasi që kanë bërë ofertën më të mirë për klubin e Brugge.

Megjithatë, te Milan-i besojnë se ende janë favorit për ta transferuar mesfushorin ofensivë.

Ylli belg është objektivi kryesor i kuqezinjve për të forcuar opsionet e trajnerit, Stefano Piolit në sulm, derisa edhe vetë lojtari e dëshiron një kalim te kampionët e Italisë, përpara çdo klubi tjetër.

Mirëpo, për ta bërë të tyrin, kuqezinjtë duhet t’i plotësojnë edhe kërkesat e kampionëve të Belgjikës.

Sipas asaj që shkruan gazeta italiane “Calciomercato”, skuadra belge e refuzoi edhe ofertën e dytë të Milan-it, e cila ishte 27 milionë euro plus bonuse.

Ata këmbëngulin se propozimi i Leeds është më i mirë për ta pasi skuadra e Premier League thuhet të ketë ofruar rreth 37 milionë euro.

Por, kjo nuk e bënë që Milan-i të dorëzohet dhe gazeta italiane shkruan se drejtuesit kuqezi shpejtë do të bëjnë një ofertë të tretë që pritet të jetë rreth 35 milionë euro plus bonuset.

Përparësia e italianëve në këtë rast mund të jetë vetë dëshira e lojtarit, i cili ka zgjedhur pikërisht Milan-in për ta vazhduar karrierën.

Si Calciomercato ashtu edhe Sky Sport Italia pretendojnë se Milan-i është gjithnjë e më i sigurt për nënshkrimin e De Ketelaere dhe shpreson se objektivi i tyre kryesor i kësaj vere do t’i nënshtrohet testeve mjekësore në Milano javën e ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore