Gjykata Speciale

Të mërkurën në Speciale vazhdon dëshmia e Nuhi Bytyqit në rastin e ish-krerëve të UÇK-së


Nuhi Bytyqi

Të mërkurën në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të vazhdojë dëshminë e tij gazetari Nuhi Bytyqi, në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bytyqi, dëshmitari i 71-të në Gjykatën Speciale, ka nisur dëshminë e tij të martën.

Ai fillimisht është marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Seanca ka qenë publike, ndryshe nga dëshmitarët paraprak të cilët janë dëgjuar në seanca të mbyllura.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, të martën, ka pranuar se Gjykata Speciale po e akuzon krejt Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për krime të pretenduara, kur prokurori i ZPS-së, Matt Halling, deklaroi se “krimet e kryer nga UÇK-ja janë çështje qendrore në këtë gjykim”.

Gjatë dëshmisë së gazetarit, Nuhi Bytyqi, prokurori i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Matt Halling, pyeti atë nëse kishte parë një artikull të gazetës prestigjioze amerikane “New York Times”, për një krim të pretenduar në Bardh të Madh.

“Nëntë pengje që u morën nga UÇK besohet se janë vrarë pasi forcat serbe rimorën në kontroll mihjen e rëndësishme të thëngjillit, e cila më parë ishte marrë në kontroll nga rebelët shqiptarë. Pra ju nuk keni dëgjuar që këta persona nga Bardhi i Madh të jenë vrarë?”, pyeti Hallim.

“Nuk kam dëgjuar as atëherë, as deri më sot nuk kam dëgjuar për këtë”, u përgjigj Bytyqi.

Në lidhje me këtë pyetje drejtuar dëshmitarit, ka reaguar edhe avokati i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, Ben Emmerson, i cili kundërshtoi qasjen e referimit në një artikull të një gazete si provë.

“Këtu nuk kemi fakte, si mundet të merret një artikull në media dhe të përdoret si provë që ka ndodhur një ngjarje dhe bazuar në këtë artikull të bëhet një lidhje me këta të akuzuar, sepse kanë dalë në fotografi disa javë më përpara në të njëjtën vend, këtu nuk po flasim për metafizikë, por ky është proces komplet jo i logjikshëm, nëse prokuroria vazhdon me këtë mënyrë atëherë kemi një gjykim të bazuar në copa gazetash”, tha ai.

Ndërkohë në kundërpërgjigje prokurori Halling tha se “ekzistojnë shumë pretendime që janë kryer krime nga UÇK-ja në këtë zonë”.

“Kryerja e krimeve nga UÇK-ja janë çështje qendrore në këtë gjykim”, tha prokurori.

Ndryshe dëshmitari i 70-të në Dhomat e Specializuara të Kosovës ka përfunduar dëshminë e tij në seancë të mbyllur për publikun.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore