Lajme

Të mbijetuarit nga tërmeti në Turqi po jetojnë në rrugë mes frikës


Songul Yucesoy lan me kujdes enët përpara se t’i shpëlajë dhe t’i vendosë për t’u tharë.

Një skenë e pazakontë sepse ajo është jashtë, e ulur nën hijen e shtëpisë së saj të shkatërruar.

Ajo anohet në një kënd alarmues, kornizat e dritareve janë të varura dhe një pjesë e madhe e çatisë së ndryshkur prej hekuri tani qëndron në kopsht.

Ka kaluar një muaj që nga tërmetet shkatërruese në Turqi dhe Siri – me zyrtarët që thonë se numri i vdekjeve vetëm në Turqi është 45 mijë e 968. Në Siri, më shumë se 6 mijë dihet se kanë humbur jetën.

Sakaq, ata që mbijetuan përballen me një të ardhme të pasigurt.

Një nga problemet e tyre më serioze është gjetja e një vendi të sigurt për të jetuar. Të paktën 1.5 milionë njerëz tani janë të pastrehë dhe është e paqartë se sa kohë do të duhet për t’u gjetur atyre strehimin e duhur.

Ndërkohë, agjencia turke Afad thotë se thuajse dy milionë njerëz janë larguar nga zona e tërmetit. Disa jetojnë me miqtë ose të dashurit e tyre diku tjetër në vend. Fluturimet dhe trenat jashtë rajonit janë falas për ata që duan të largohen.

Por në qytetin Samandag, pranë bregut të Mesdheut, Songul e ka të qartë se ajo dhe familja e saj nuk do të shkojnë askund.

“Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Çfarëdo që të ndodhë më pas – edhe nëse shtëpia bie – ne do të qëndrojmë këtu. Kjo është shtëpia jonë, foleja jonë. Gjithçka që kemi është këtu. Ne nuk do të largohemi”.

Mobiljet janë nxjerrë me kujdes nga shtëpia dhe janë vendosur jashtë. Mbi një tavolinë anësore të lëmuar prej druri është një suvenir. Ka një tas me fruta, me myk të bardhë që zvarritet mbi një portokall.

Gjërat që duken normale në ambiente të mbyllura ndjehen të çuditshme dhe të pavenda kur janë në rrugë.

Tani për tani, e gjithë familja po jeton në tre çadra vetëm pak hapa larg shtëpisë së tyre të dëmtuar. Ata flenë dhe hanë atje, duke ndarë ushqimin e gatuar në një sobë të vogël kampingu.

Nuk ka një tualet të përshtatshëm, megjithëse ata e kanë gjetur një banjo dhe po përpiqen ta fusin në një kasolle të improvizuar prej druri.

Madje kanë krijuar një zonë të vogël dushi. Por mungesa e hapësirës dhe privatësisë është e dukshme. Këto tenda janë të ngushta dhe të mbipopulluara.

Ka qenë një muaj i mundimshëm për Songul.

Në tërmet u vranë 17 të afërm të saj. Motra e saj Tulay është zhdukur zyrtarisht. “Nuk e dimë nëse është ende nën rrënoja. Ne nuk e dimë nëse trupi i saj është nxjerrë ende apo jo. Ne jemi duke pritur. Nuk mund të mbajmë zi”.

Kunati i Songul, Husemettin dhe nipi 11-vjeçar Lozan vdiqën kur ndërtesa e tyre e banimit në Iskenderun u shemb rreth tyre teksa flinin.

Kriza e të pastrehëve e krijuar nga tërmeti është kaq akute për shkak të mungesës reale të hapësirave të sigurta që kanë mbetur.

Më shumë se 160 mijë ndërtesa u shembën ose u dëmtuan rëndë. Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) vlerëson se të paktën 1.5 milionë njerëz janë ende brenda zonës së tërmetit, por nuk kanë ku të jetojnë.

Është e vështirë të dihet shifra e vërtetë dhe mund të jetë shumë më e lartë.

Tendat janë shfaqur kudo, nga kampet e reja të përhapura deri tek ato individuale të vendosura mes rrënojave. Ende nuk ka mjaft.

Lajmet se Gjysmëhëna e Kuqe Turke i kishte shitur një grup bamirësie një pjesë të stokut të tendave të financuara nga taksapaguesit – megjithëse me çmimin e kostos – çoi në zhgënjim dhe zemërim.

Në disa qytete, njerëzit ende jetojnë brenda ndërtesave publike.

Edhe fëmijët e Songul-it po luftojnë. Lodrat dhe lojërat janë ngecur brenda shtëpive të rrezikshme dhe nuk ka shkollë.

“Ata janë të mërzitur, nuk ka asgjë për t’i mbajtur ata të zënë. Ata thjesht ulen përreth, luajnë me telefonat e tyre, pastaj shkojnë në shtrat herët”.

Kur bie nata, gjërat janë edhe më të vështira.

Të pastrehë në vendin e tyre, ata nuk janë refugjatë, por kanë humbur gjithçka.

“Ne jemi të frikësuar kur errësohet. Të mos kesh energji është një problem i madh. Frika është shumë e madhe dhe gjatë gjithë natës ndjejmë pasgoditjet, kështu që është e vështirë të flemë”.

“Ne jemi njerëz të lirë, jemi mësuar me lirinë, pavarësinë, secili jeton në shtëpitë e veta”, shton bashkëshorti i saj, Savas.

“Por tani jemi tre familje, duke ngrënë në një tendë, duke jetuar dhe ulur në një çadër të vetme”.

“Kjo është e gjitha e re për ne, ne nuk e dimë se çfarë na pret. Dhe gjithmonë ekziston frika. Shtëpitë tona janë shembur, çfarë do të ndodhë më pas? Nuk e dimë”.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore