Lajme

Të hiqet çdo dilemë që këto aksione s’u kryen për efekte elektorale – Haradinaj kërkon shpjegime


Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të jepen sqarime rreth aksioneve të policisë në Veri të vendit – siç ishte ky i stomi – dhe të hiqen dilemat se ato u bën për shkaqe elektorale.

“Ne duam të besojmë që aksionet e sotme, të kenë qenë pjesë e planit të rregullt operativ të policisë në ndjekje të krimit. Veç se qeveria e ka për detyrë ta sqarojë edhe opinionin publik edhe veten, për përzgjedhjen e momentit kohor për kryerjen e këtyre operacioneve”, shkruan Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

“Nëse është e mundshme”, shton ai “duhet të hiqet çdo dilemë, se këto aksione mund të jenë kryer për efekte elektorale”.

Në anën tjetër është shprehur mbështetës për Policinë e Kosovës, derisa ka thënë se “askush nuk ka të drejtë të ngre dorë ndaj policit”.

“Huliganët dhe banditët duhet të burgosën dhe shteti duhet të jetë i pakompromis ndaj tyre. Secili që sulmon policinë e Kosovës dhe e prish rendin publik, duhet ta marrë dënimin e merituar”.

Në aksionin e sotëm të policisë janë lënduar gjashtë policë, derisa flitet edhe për disa protestues serbë të lënduar, por ende nuk ka një numër zyrtar.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore