Të hënën mblidhet Kuvendi – diskutohet situata në veri të Kosovës

SHFLETO

Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

 

Altina Marmullaku
29.09.2021 11:21
Loading Icons...

Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka njoftuar se Kryesia e Kuvendit është pajtuar që të hënën të mblidhet Kuvendi, për vazhdim të seancës së shkuar.

Tahiri ka bërë të ditur se AAK-ja ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për gjendjen në veri.

Sipas tij, ka pasur dakordim me të gjithë shefat e grupeve tjera parlamentare për të diskutuar për kohën dhe ditën e mbajtjes së seancës.

“Të gjitha partitë politike e shohin shumë saktë që gjendja në veri është serioze dhe i tejkalon interesat partiake”, ka deklaruar ai pas mbledhjes së Kryesisë.

Shefi i Grupit Parlamentar nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo parti në Kryesi të Kuvendit ka ngritur edhe çështjen e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Edhe kësaj here nuk kemi pasur konsensusin për ta vendosur në seancën e radhës. Sa më shpejt të nxirret për votim dhe deputetët të vendosin se nga pesë kandidatët, cilët duhet të jenë dy që duhet të bëhen anëtarë”, ka thënë ai.

Tahiri po ashtu ka thënë se “ PDK i ka dhënë përkrahje vendosjes së ligjshmërisë në komunat në veri”.

Ndërkaq e konsideron tejet të rëndësishëm koordinimin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë proces.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës.

Tahiri ka thënë se në këtë mbledhje ka ngritur shqetësimin edhe vonesa e votimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Një prej çështjeve që e kam ngritur është votimi i anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese. Edhe kësaj here nuk e kemi pas konsensusin që një çështje të tillë ta vendosim në seancë të Kuvendit. Unë mendoj që një çështje e tillë që është plotësimi i anëtareve në gjykatën kushtetueses nuk duhet të shtyhet pafundësisht”.

Ai ka shtuar se është e rëndësishme që si Kuvend të jemi të përgjegjshëm ndaj këtij institucioni.

“Deputetët duhet të vendosin se kush do të jenë 2 nga 5 kandidatët që janë në garë që do të shkojnë si anëtarë në Gjykatën Kushtetuese”.

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e paraparë të mbahet të enjten e 23 shtatorit në orën 10:00 ka dështuar për shkak të mungesës së anëtarëve të mjaftueshëm.

Dy pikat kufitare Kosovë-Serbi në veri të Kosovës, po vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara tash e dhjetë ditë, pasi më 20 shtator, Qeveria e Kosovës ka vendosur zbatimin e masës së reciprocitetit për tagrat e automjeteve të Serbisë të cilat hyjnë në Kosovë.