Shqipëria

Të ekspozuar nga prindërit, të rrezikuar nga TikTok-u


Nuk është vështirë të hamendësosh se prania e imazhit të të miturve në mediat sociale, sidomos në TikTok, është e shpeshtë.

Për një sërë arsyesh, ka prindër që kanë vendosur t’i bëjnë të vegjlit e tyre pjesë aktive të mediave sociale nëpërmjet videove të shumta.

Në veçanti TikTok-u, si pasojë e karakteristikave më argëtuese e angazhuese, është kthyer në aplikacionin e parapëlqyer për t’i shfaqur këto video dhe për të arritur një audiencë të konsiderueshme.

Një audiencë, që merr më pas përdorime të shumta.

Por aq sa është tërheqës, TikTok-u po aq është edhe i dëmshëm veçanërisht për të miturit.

Psikologia Valentina Telhaj tregon për Albanian Post se shumë njerëz janë të tërhequr pas kësaj platforme digjitale, duke e parë si një trend të kohës.

Nga ana tjetër, është gjithashtu një platformë, e cila për të miturit, nuk është absolutisht e shëndetshme që fëmijët të ekspozohen në të.

Dhe si një nga arsyet kryesore ajo rendit ekspozimin e imazhit.

“Fëmija bëhet më i identifikueshëm, më i verifikueshëm dhe ka më shumë gjasa që të piketohet nga individë me qëllime të këqija, si pedofilët, të cilët përmes imazhit krijojnë skemat e tyre mendore për prenë e radhës”, veçon ajo.

Thirrja e saj është që të tregohet kujdes i shtuar që imazhi i fëmijës të ruhet në privatësinë më maksimale dhe më idealja do të ishte të mos ekspozohej në këto platforma.

E gjitha kjo pasi mediat sociale konsiderohen të kenë “një faktor shumë të lartë të ekspozimit të fëmijëve ndaj çrregullimeve të shëndetit mendor”.

Nga një sërë studimesh të fundit mbi efektet negative të mediave sociale është zbuluar se janë të prekur “një në shtatë adoleshentë nga të paktën një problem i çrregullimit mendor”.

Psikologia Telhaj veçon si disa nga problemet e shëndetit mendor depresionin, ankthin, çrregullimet e stresit, çrregullimet e gjumit apo të përqendrimit dhe një sërë problemesh të tjera.

“I distancojnë nga komuniteti, i bëjnë më pak të vëmendshëm, më pak empatik, më pak socialë dhe më pak të shëndetshëm”, thekson ajo.

Fëmijët – që të rriten sa më të shëndetshëm – kanë nevojë “të asociohen dhe të ndërveprojnë me mjedisin, me komunitetin, të krijojnë marrëdhënie reale me njerëzit dhe jo të rriten të izoluar”.

Ndaj efektet negative të të qëndruarit në një ambjent distancues nga komuniteti janë të pashmangshme.

Si shembull, ajo përmend komentet që mund të merren në llogaritë e fëmijëve në mediat sociale. Si pozitive ashtu edhe negative, komentet mund të krijojnë një “perceprim të gabuar apo një hiperbolizim të imazhit” të tyre që mund të mos përputhet me karakteristikat dhe me zhvillimin e tyre psiko-emocional, konjitiv.

Për gjithë sfondin në të cilin shtrihet ekspozimi i fëmijëve në platforma të ndryshme online dhe rreziqet që vijnë pas, Telhaj u rekomandon prindërve që t’i ftojnë fëmijët të luajnë sa më shumë lojëra reale.

Dhe nëse fëmijët e tyre e disponojnë tanimë një llogari në mediat sociale, ata duhet të kujdesen që të kenë miq real, që kontaktet e tyre të jenë nga njerëz real të rrethit të ngushtë miqësor ose familjar dhe mos të bien pre e të panjohurve.

“Prindërit duhet të flasin me ta, të komunikojnë, t’u tregojnë eksperiencat e tyre, t’u japin siguri dhe jo të gjykojnë, kryesisht, nëse fëmija gjykohet, do të ketë më shumë mundësi që të stepet duke mos qenë në një situatë të dytë ku të tregohet i hapur me prindërit”, thekson ajo.

Kjo pasi fëmija do të mbajë mend eksperiencën e kaluar që nëse është gjykuar apo është marrë masë drastike në një rast të caktuar, do të tërhiqet dhe nuk do të jetë aq i sinqertë me prindërit sepse do të preferojë mos të marrë reagim negativ.

Mjedis i pasigurt për të miturit

Në vitet e fundit, sipas psikologes, kanë qarkulluar spekulime se disa grupe spiunazhi mund të zotërojnë informacione të brendshme nga TikTok-u, ku shkelet siguria e platformës.

Madje, tanimë shumë vende të ndryshme po ndërmarrin hapa për ta ndaluar si aplikacion dhe po nxjerrin ligje të posaçme për të mbrojtur jo vetëm të miturit, por edhe të rriturit.

Ky aplikacion kërkon informacion shumë të detajuar që e bën këdo përdorues të tij më të ekspozuar ndaj këtyre detajeve si vendndodhja apo një sërë të dhënash të tjera personale dhe në krahun tjetër “mund të ketë përdorues të tjerë, individë me qëllime të caktuara, qoftë kriminale apo ngacmimi dhe pedofili e mundshme për ndonjë të mitur”.

Si rrjedhojë, privatësia është në nivele shumë të ulëta dhe është shumë e prekshme në platforma të këtij lloji.

Nga statistikat e sigurisë kibernetike, sipas psikologes, një në tre persona, rreth 30.5 për qind, kanë qenë të prekur nga mashtrimi i identitetit.

Gjithashtu është gjetur se vjedhja e identitetit kapërcente format fizike të vjedhjes duke pësuar rritje në kohët e fundit.

Individë të caktuar me qëllime të këqija, i përdorin të dhënat për të grabitur para ose për të kryer krime të tjera të mundshme.

Dhe mbi 60 për qind e atyre që janë goditur nga mashtrimet kanë thënë se nuk e kanë idenë se si ka ndodhur fenomeni i mashtrimit.

“Prandaj duhet pasur shumë në konsideratë se çfarë postojmë dhe se kë ekspozojmë sepse jemi të gjithë të prekur nga kjo situatë”, ravijëzon Telhaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore