Rajoni

Të dyshuarit për krime lufte vazhdojnë të largohen nga Bosnja


Varret e personave të vrarë në Srebenica

Zhdukja e gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Milomir Savçiç – që akuzohet për ndihmën e gjenocidit të Srebrenica-s – është i fundit i një serie incidentesh, në të cilat të dyshuarit dhe të dënuarit për krime lufte i kanë shpëtuar drejtësisë në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Gjykata shtetërore boshnjake këtë javë kërkoi lëshimin e një urdhri ndërkombëtar për arrestimin e Milomir Savçiç – komandant, njëkohësisht dhe kreu i Shoqatës së Veteranëve të Republikës Srpska – pasi policia nuk e gjeti atë në adresën e shtëpisë së tij kur ata shkuan për të zbatuar urdhrin e arrestimit nga gjykata për paraburgim.

Urdhri erdhi pasi Savçiç kishte shkelur rregulloret, të cilat e pengojnë atë të flasë publikisht për çështjet që lidhen me gjykimin e tij për dyshimin se ka ndihmuar në kryerjen e gjenocidit të Srebrenica-s në vitin 1995.

Një javë më parë, ai foli me mediat për përvjetorin e masakrave të Srebrenica-s – muajin e kaluar – dhe për ndryshimet e fundit ligjore që ndalojnë mohimin e gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit.

Telefoni celular i Savçiçit u fik, avokati i tij nuk kishte asnjë ide për vendndodhjen e tij. Spekulimet u përhapën se ai ishte larguar përtej kufirit në Serbi – e cila nuk ekstradon të dyshuarit për krime lufte në Bosnjë, në mënyrë që t’i shmanget drejtësisë.

Megjithatë të mërkurën, nga Ministria e Brendshme serbe u mohoi që Savçiç të kishte hyrë në vend. Policia Kufitare e Bosnjës dhe Hercegovinës tha gjithashtu se ai nuk ishte regjistruar si largues.

Duke u zhdukur, Savçiç u bë një nga dhjetëra të pandehurit ose të dënuarit për krime lufte, të cilët nuk janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore boshnjake. Shumica e tyre janë në Serbi.

Të dyshuarit që janë në Serbi nuk kanë frikë se do të kthehen në Bosnjë për t’u gjykuar, edhe pse të dy vendet kanë një marrëveshje ekstradimi.

Kryetari i Shoqatës së Viktimave dhe Dëshmitarëve të Gjenocidit, Murat Tahirovic, ka argumentuar se gjykata shtetërore duhet të kishte marrë mësim nga rastet e ish-policit ushtarak serb boshnjak Mirko Vruçiniç, ish-ministrit të Brendshëm serb boshnjak, Tomislav Kovaç, ish-gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Novak Djukiç, dhe ish-komandantit të batalionit serb boshnjak Radovan Stankoviç.

Këta të fundit – të gjithë – janë larguar nga vendi për t’iu shmangur vendimeve ose akuzave për krime lufte.

Tahirovic pohoi se autoritetet gjyqësore boshnjake nuk po përdorin fuqitë që kanë për të mbajtur të dyshuarit në vend dhe “vazhdojnë të përsërisin të njëjtin gabim”.

“Mekanizmi ekziston, por ai duhet të përdoret”, tha ai.

Në arrati me dy pasaporta

Prokuroria shtetërore ka thënë se Savçiç ka nënshtetësi serbe, si dhe boshnjake. Ndërkohë avokatja Senka Nozica – ka përfaqësuar të akuzuarit për krime lufte për shumë vite – ka thënë se shtetësia e dyfishtë nuk mund të konsiderohet si bazë për caktimin e personave në paraburgim që rrezikojnë të largohen për të mos u gjykuar.

“Kjo do të ishte krejtësisht diskriminuese dhe pastaj arrijmë te çështja e pajtueshmërisë me marrëveshjen midis shteteve mbi ekstradimin e njerëzve që ikin nga ligji nga një vend në tjetrin”, tha Nozica.

Udhëheqësit politikë në vendet e ish-Jugosllavisë shpesh besojnë se dikush nga grupi i tyre etnik, i akuzuar për krime në një vend tjetër të ish-Jugosllavisë është “një hero lufte, jo një kriminel lufte”.

Në vijim të kësaj, sipas avokates, kjo do të shkaktonte probleme me kërkesat për ekstradim. Ajo beson se problemi është praktikisht i pamundur për t’u zgjidhur, sepse nuk ka vullnet politik për ta bërë atë.

Savçiç, komandanti i kohës së luftës i Regjimentit të 65-të të Mbrojtur të Motorizuar të Shtabit Kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, ishte në gjyq për dyshimin se kishte planifikuar dhe mbikëqyrur aktivitetet e anëtarëve të regjimentit gjatë kapjes, ndalimit, abuzimit dhe vrasjes së disa qindra burrave boshnjakë nga Srebrenica në disa vende në Nova Kasaba në korrik të vitit 1995.

Pasi ai u zhduk, prokuroria shtetërore dhe gjykata të dy mohuan se ishte faji i tyre.

Nga Prokuroria u njoftua të martën se nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për faktin se, në seancën në të cilën Savçiç u urdhërua për paraburgim, “Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës dështoi të urdhërojë policinë që të mbajë të pandehurin – çka do të kishte siguruar zbatimin e vendimit të kujdestarisë”.

Gjykata shtetërore tha se, sidoqoftë, Savçiç i ishte ndaluar më parë të largohej nga vendi dhe se dokumentet e tij të udhëtimit ishin konfiskuar, përfshirë atë serbe.

Po ashtu dhe lëshimi i pasaportave të reja dhe përdorimi i kartës së tij të identitetit për të kaluar kufirin ishte ndaluar.

“Gjykata nënvizon edhe një herë se Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk e ka propozuar masën e paraburgimit për shkak të rrethanave që sugjerojnë se ai mund të ikë, as Gjykatës nuk i janë ofruar prova që sugjerojnë një rrezik të tillë”.

“Qindra kriminelë po sillen lirshëm”

Para zhdukjes së Savçiç, rasti që tërhoqi më së shumti titujt ishte ai i gjeneralit të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Novak Djukiç.

Komandanti i kohës së luftës i Grupit Taktik Ozren. Djukiç u dënua për urdhërimin e një skuadre artilerie për të bombarduar qytetin e Tuzla-s më 25 maj 1995, duke vrarë më shumë se 70 civilë.

Disa ditë pasi u dënua me 20 vjet burg në qershor të vitit 2014, avokati i Djukiç i tha Gjykatës Shtetërore Boshnjake se ai kishte shkuar për trajtim mjekësor në Serbi.

Një urdhër arresti u lëshua në tetor 2014, dhe Serbisë më pas iu kërkua të merrte përsipër zbatimin e vendimit.

Por që atëherë, Gjykata e Lartë në Beograd ka shtyrë në mënyrë të përsëritur disa seanca në të cilat ishte parashikuar të diskutonte çështjen.

Mes vonesave, ka pasur përpjekje të përsëritura në Serbi për të mohuar gjetjet e gjykatës boshnjake se masakra ishte kryer nga forcat serbe të Bosnjës nën komandën e Djukiç-it.

Ministria Serbe e Mbrojtjes madje organizoi një ngjarje promovuese për një libër që pretendonte se vërtetonte se trupat e tij nuk e kishin bombarduar Tuzla-n dhe se shpërthimi vdekjeprurës ishte shkaktuar nga një pajisje shpërthyese e para-vendosur nga të tjerët.

Avokati Nozica argumentoi se prokuroria boshnjake nuk ka bërë sa duhet për të akuzuar të dyshuarit e mbetur të vendit për krime lufte në kohën e duhur, duke i lënë ata në liri.

“Ka qindra kriminelë që ecin lirshëm në këtë vend. Ky është problemi që prokuroria e shtetit nuk ka arritur ta zgjidhë”, tha ajo, duke shtuar se disa kallëzime të krimit janë lënë në sirtarët e prokurorisë për vite me radhë.

“Pse nuk i ngarkojnë të gjithë, kështu që ne të paktën të përfundojmë me gjithë këtë? Dhe atëherë kur 50 ose 100 prej tyre vendosin të ikin përtej kufirit në një vend tjetër, ne mund të kërkojmë ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare”.

Kujtojmë që në korrik të 1995-ës, forcat nga Republika Srpska e shkëputur nga Bosnja dhe aleatët paraushtarakë vranë më shumë se 8 mijë burra dhe djem kryesisht myslimanë në qytetin e Srebrenica-s.

Marrë nga BalkanInsight, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore