Lajme

Të dyshuar për ryshfet dhe korrupsion, Gjykata ua vazhdon paraburgimin katër zyrtarëve të MPB-së


Ministria e Punëve të Brendshme.

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për dhënie të ryshfetit.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar zyrtarja për informim e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi.

“Pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve A.S, B.B, N.S dhe G.H, me datë 02 gusht 2023 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.S, B.B, N.S dhe G.H, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj”, ka thënë Gashi për AP.

Të njëjtit ishin arrestuar në korrik të këtij viti nga krimet ekonomike të Policisë së Kosovës, derisa ishin duke zhvilluar aksion në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, për të dyshuarit me iniciale (A.S., B.B. dhe N.SH.) ekziston dyshimi i bazuar se në cilësi të personave zyrtarë duke vepruar në bashkëpunim, gjatë realizimit të disa procedurave tenderuese dhe realizimit të projekteve në MPB kanë marrë ryshfet nga operatori ekonomik i kontraktuar për kryerjen e projekteve.

Kurse sa i përket të dyshuarve N.S dhe G.H në cilësi të përfaqësueseve të operatorit ekonomik dyshohen për veprën penale të Dhënies se Ryshfetit me qellim të krijimit të përparësive të paligjshme gjatë realizimit të projektit për ndërtimin e “një objekti të një agjencie” dhe projekteve tjera të zhvilluara nga MPB-ja.

Të njëjtit dyshohen edhe për veprën penale “Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin”.

Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas arrestimit të tyre kishte premtuar se askush nuk do jetë mbi ligjin dhe secili që vepron në kundërshtim me të do të përballet me drejtësinë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore