Lajme

Rundi i dytë i procesit të largimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore


Ilustrim: Erden Atiq, Lulzim Hetemi, Ilir Peci, Izmir Zeqiri

Pas mbledhjes së nënshkrimeve të nevojshme, të dielën e 21 prillit qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut e Zveçanit, do të votojnë për apo kundër largimit të kryetarëve shqiptarë nga komunat veriore, në një proces i cili po bojkotohet nga Lista Serbe.

Faza e dytë e procesit të shkarkimit të kryetarëve në komunat veriore të Kosovës përveç në qendra të ndryshme të votimit do të mbahen edhe nëpër kontejnerë.

Ato do t’i zëvendësojnë objektet shkollore të cilat serbët lokalë nuk lejuan të shfrytëzohen si qendra votimi. 33 drejtorë të shkollave paralele në Veri refuzuan që objektet shkollore të shfrytëzohen për procesin e votimit.

Komisioni Qendror Zgjedhor nga 43 vendvotime të planifikuara arriti të sigurojë vetëm 23.

Qendrat e votimit të siguruara nga KQZ-ja përveç disa shkollave do të jenë edhe hapësira publike, salla dhe prona të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Numri i qytetarëve me të drejtë vote, sipas të dhënave të KQZ-së do të jetë 46 mijë e 556 votues.

Ky numër, sipas KQZ-së është 1 mijë e 461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2023 në komunat veriore.

Megjithatë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës – njoftoi javë më parë se nuk do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë.

Sipas Listës Serbe kjo mospjesëmarrje vije meqë në vlerësimin e tyre janë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren” dhe se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.

Përveç kësaj anëtarët e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në katër komunat veriore me shumicë serbe.

Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, KKZ-të administrojnë zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së.

Ndërkaq ambasadorët e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian në Kosovë shprehën keqardhje për tërheqje prej procesit zgjedhor.

Në reagimin e tyre u tha ndër të tjera se “bojkotimi i votimit më 21 prill, nuk do të sjellë ndonjë përfitim për qytetarët që jetojnë në Veri”.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës i bëri thirrje Listës Serbe të mos përhapë dezinformata dhe të mos u bëjë presion qytetarëve të komunitetit serb “që duan të jenë pjesë e procesit demokratik të 21 prillit”.

Ndryshe në një kohë rekord në janar të këtij viti qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut kanë mbledhur nënshkrimet e nevojshme – faza e parë e procesit –  për largimin e kryetarëve shqiptarë nga komunat respektive të tyre.

Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës u mbajt në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në Veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.

Edhe votimi i 21 prillit do të mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ i hartuar nga Qeveria e Kosovës.

Nëse 50+1 për qind e qytetarëve në listat e votuesve votojnë në favor të largimit të kryetarit, sipas këtij Udhëzimi Administrativ, atëherë ai konsiderohet se është larguar nga posti.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Por, nëse gjatë votimit nuk arrihet shifra prej 50 për qind, nisma konsiderohet se ka dështuar dhe, sipas udhëzimit administrativ, një iniciativë e njëjtë mund të ndërmerret vetëm pas 12 muajsh.

Kryetarët shqiptar u zgjodhën në prill të vitit 2023 në zgjedhjet të cilat u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.

Në Veri të Kosovës, tensionet u ngritën pasi kryetarët shqiptarë, me ndihmën e policisë, hynë në ndërtesat komunale në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, në maj të vitit të kaluar.

Situata u përshkallëzua më 29 maj, kur serbët u përleshën me pjesëtarët e misionit ushtarak paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR), në Zveçan.

BE-ja, përgjegjësinë për këto tensione ia ngarkoi Prishtinës dhe kërkoi shtensionimin e menjëhershëm të situatës dhe kthimin në dialog.

Bashkë me konstatimin se Qeveria e Kosovës po i injoron këto kërkesa, BE-ja vendosi masa ndëshkuese ndaj saj, në fund të qershorit.

Që nga ajo kohë deri më sot masat e BE-së nuk janë larguar ende ndërsa Kosova po vuan pasojat e tyre.

Përveç në aspektin financiar – pezullimin e projekteve, granteve e fondeve të ndryshme – masat e BE-së kanë ndikuar edhe në imazhin dhe kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore