Teknologji

Të blesh gjithçka nga shtëpia – evoluimi i blerësit shqiptar


Pandemia nuk e ka kursyer veten për të ndërhyrë në çdo moment të jetës njerëzore dhe për të ndërtuar imazhin që ajo kërkon të përçojë.

Një nga këto momente është edhe procesi i zgjedhjes së mënyrës së marrjes së vakteve. Këtij procesi sa të mirëmenduar aq edhe të atypëratyshëm, pandemia ka zgjedhur t’i bashkangjisi imazhin e dominuar nga teknologjia.

Mënyra direkte e marrjes së vakteve në restorant apo në fastfood-in pranë shtëpisë, tanimë bën pjesë te kategoria e alternativave të zgjedhjes.

Kufizimet në orare dhe pamundësia që ato pasuan në kryerjen e punëve gjatë ditës, detyruan njerëzit të drejtonin vëmendjen te mënyrat më të lehta dhe më të shpejta të marrjes së vakteve.

Ngjashëm si me komunikimin ndërmjet të njohurve, i cili u ndërmjetësua përmes pajisjeve teknologjike dhe mundësive që ato ofrojnë për t’u ndërlidhur, edhe ushqyerja mori nuancat e një procesi teknologjik të ndërmjetësuar.

Tirana, kryeqyteti i të rejave, nuk e la këtë trend të konsumatore që të ikte. Nën kompozimin e pandemisë dhe nën sfidat e një situate që kërkonte përgjigje të menjëhershme, ofroi për banorët e saj një shumësi zgjedhjesh të porositjes online dhe dërgimit në shtëpi të ushqimit.

Si pjesë e kësaj të reje teknologjike në sjelljen konsumatore, lindi nevoja në treg për shtimin e platformave të cilat mundësojnë shërbimin e porositjes online. Bashkëthemeluesi i kompanisë Foodini, Vasillaq Kristo, gjatë një interviste të zhvilluar për Albanian Post, është shprehur se mënyra e re e porositjes së vakteve ka bërë që listës së porositësve t’i shtohet një grupmoshë e re.

Kristo sqaron se grupmosha 35 deri në 55 vjeç e cila para pandemisë nuk ka qenë e angazhuar në porositjet online, ka nisur të angazhohet gjatë pandemisë dhe vazhdon të jetë aktive në porositjen e vakteve përmes aplikacioneve në dispozicion.

Përpos avantazheve që pasuan, aplikimi në terren i digjitalizimit të porositjes dhe blerjes së vakteve hasi në dy vështirësi paralele. “Rritja eksponenciale sjell gjithmonë sfida në drejtim të bizneseve ashtu edhe në drejtim të klientëve final.

Në rastin konkret, kemi restorantet të cilat u përballën me Covid-19 dhe panë si të vetmen rrugë shpëtimi, nënshkrimin ose bashkëpunimin me ofruesit e platformave të shpërndarjes së ushqimeve”, sqaroi Kristo.

Një tjetër çështje me rëndësi ka të bëjë me politikat e ndjekura të privatësisë së përdoruesëve të aplikacioneve që ofrojnë këto shërbime. Pjesa më e madhe e tyre funksionon vetëm me emrin, mbiemrin dhe adresën elektronike të përdoruesit. Ndërsa të dhënat bankare i kalohen bankave që realizojnë transaksionin.

Megjithatë, edhe pse pritshmëritë janë që rritja e porositësve online të jetë e vazhdueshme dhe progressive, mbetet për t’u parë në vazhdim se si do të reagojnë konsumatorët me përzgjedhjen e tyre të mënyrave të porositjes dhe blerjes së vakteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore