Sport

Të besosh ‘të pamundurën’


Thonë shpesh se e pamundura nuk gjen vend në futboll. Por, pavarësisht kësaj, të besosh në “të pamundurën” mund të duket marrëzi. Epo, ky nuk është rasti i Kombëtares shqiptare.

Kur Shqipëria prezantoi një trajner si Sylvinho, shumë supe u ngritën, shumë fytyra u shtangën, por, gjithsesi, mbizotroi një kureshtje e madhe për këtë person, i cili mund të sillte diçka ndryshe te kuqezinjtë. Një pjesë e mirë e tifozëve, ndoshta të “lodhur” nga trajnerët “old school” italian, e mbështetën afrimin e brazilianit, me besimin se një erë e re po frynte për Shqipërinë.

Nga viti 2012 deri në 2022, Shqipëria kishte në pankinë një trajner italian. Fillimisht ishte Gianni de Biassi, i pari që kualifikoi kuqezinjtë në një kompeticion madhor si Euro 2016. Megjithatë, ajo periudhë e artë, u pasua nga paraqitje të dobëta, ku në stolin kuqezi ishin trajnerë Christian Panucci dhe Edoardo Reja. Ndonëse, ky i fundit arriti fare pranë play-off-it për kualifikimin në Kupën e Botës 2022, përsëri niveli i lojës nuk ishte në lartësinë e duhur, nëse e krahason me atë aktual.

Ndaj, një ndryshim në stol dhe emërimi i një baraziliani, i cili ndonëse si trajner kishte eksperienca të hidhura, u mirëprit edhe për vete faktin se më në fund Shqipëria mund të largohej nga ai stil i lojës që ishte bërë gati i bezdisshëm. Madje për shumëkend ishte më i bezdisshëm stili i lojës se golat e pësuar, pothuajse, në fund të çdo ndeshjeje.

Dhe, koha kishte ardhur. Ndryshimi shihej si e vetmja zgjidhje për të ringjallur kuqezinjtë. Vendosja e Sylvinho-s në krye të tyre, në fakt, rezultoi një gjetje spektakolare dhe kjo jo vetëm për faktin që arriti të kualifikonte ekipin në Euro 2024.

Sylvinho dhe Shqipëria në atë kohë, rreth 12 muaj më parë, kishin një të përbashket, kërkonin të zbulonin zjarrin brenda vetes. Në një farë mënyrë, kuqezinjte ishin revanshi i karrierës së brazilianit. Dhe, braziliani ishte njeriu i duhur për të bërë bashkë dhe për të çuar përpara një skuadër të mbushur me elemente të talentuar.

Së bashku me Sylvinho-n, do të vinin edhe Pablo Zabaleta dhe Doriva. Dy braziliani dhe një argjentinas. Tashmë, Shqipëria po merrte nuanca amerikano-jugore, nuanca të një toke ku futbolli është, pothuajse, gjithçka.

Prezantimi i Sylvinho-s te Shqipëria. Nga e majta në të djathtë: Pablo Zabaleta, Armand Duka, Sylvinho dhe Doriva.

Në konferencën për shtyp gjatë prezantimit të Sylvinho-s si trajneri i ri i Shqipërisë, ishte vetë brazilian që vuri në dukje fjalën “uri”. Ishte një term që dukshëm u mungonte kuqezinjëve në fushë.

“Kemi dëshirë të sjellim rezultate pozitive për të dërguar kombëtaren në pozicionin e duhur. Këtë pashë kur takova presidentin për herë të parë. Edhe ai pa te ne urinë dhe dëshirën për të bërë mirë, për t’i dhënë vazhdimësi projektit”, u shpreh Sylvinho më 9 janar 2023, gjatë prezantimit të tij te Shqipëria.

Pikërisht kjo fjalë karakterizoi trajnerin dhe djemtë e drejtuar prej tij në fushatën më të mirë kualifikuese që kuqezinjtë kishin bërë ndonjëherë në historinë e tyre.

Të uritur për fitore, të uritur për të marrë më të mirën nga vetja dhe të uritur për të qenë në Euro 2024 lojtarët kuqezi dukeshin të shëndruar brenda pak kohe. Nga një vit 2022 për tu harruar, në një 2023 për tu krenuar.

Rrugëtimi drejt Euro 2024

Po të kthehemi pak më pas në kohë, në tetor 2022, kur u hodh shorti i grupeve kualifikuese për Euro 2024, Shqipëria u pozicionua në Grupin E së bashku me Poloninë, Çekinë, Moldavinë dhe Ishujt Faroe.

Grupi ishte më i miri për kuqezinjtë dhe që mund tu jepte atyre një shans të madh për të qenë në Euro 2024. Megjithatë, as tifozi më besnik i Kombëtares kuqezi nuk besonte në atë kohë se Shqipëria do të mundte Çekinë dhe Poloninë për të qenë kryesuese e grupit të saj. Përveç, kreut të FSHF-së, Armand Duka.

“Kombëtaren e parashikoj në vend të parë”, tha Duka menjëherë pas shortit në tetor.

“Nëse luajmë me statistika, do të dalim të fundit. Nëse shkojmë si ushtarë, mund të dalim gjeneralë. Nëse shkojmë si gjeneralë, mund të dalim ushtarë. Mendoj që mund të mundim të gjithë kundërshtarët që kemi në grup. Por mund të humbim edhe ndaj Ishujve Faroe nëse nuk japim maksimumin”, vijoi presidenti i qeverisë së futbollit shqiptar.

Rrugëtimi i kuqezinjëve tregoi se Duka kishte të drejtë për dy arsye. E para se Shqipëria doli e para në grup. Dhe e dyta, se kuqezinjtë në rastet kur shkuan si “gjeneralë” ndaj Ishujve Faroe në Tiranë rrezikuan të dilnin “ushtarë”. Ndërsa, ndaj Çekisë dhe Polonisë ku u futën në fushë si “ushtarë” në fund dolën si “gjeneralë”.

Në kohën e hedhjes së shortit, Sylvinho nuk ishte caktuar ende në krye të Shqipërisë dhe nuk dihej me siguri se kush do të ishte timonieri i kuqezinjëve. Madje, në një mori emrash të përmendur asokohe, ai i brazilianit fillimisht nuk figuronte.

Sylvinho u prezantua në krye të Shqipërisë në janar 2023, ku filloi menjëherë nga puna, duke qëndruar me orë të tëra për të gjetur, klasifikuar dhe ftuar lojtarët më të mirë të momentit në ekip.

Në mars të 2023, Sylvinho do të ishte për herë të parë në drejtimin e një ndeshjeje të Shqipërisë. Ishte një debutim direkt në ndeshje zyrtare për brazilianin, i cili nuk kishte pasur mundësinë të testonte lojtarët e tij të rinj në ndeshje miqësore.

49-vjeçari nuk pati kurrë ankesa për debutimin e tij të menjëhershëm në kualifikuese, por, përkundrazi, me diplomacinë që e karakterizon, ai gjithmonë u mundua të përçonte te lojtarët një ndjenjë të fortë pozitive se ata do të ishin në Euro 2024 me patjetër.

Kualifikueset e Euro 2024 nisën ndaj Polonisë në Varshavë. Një nisje jo me këmbën e mbarë përsa i përketë rezultatit, pasi kuqezinjtë u mundën 1-0. Por, ishte pikënisja e një kombëtarje të bukur, që luante futboll modern dhe mbi të gjitha afrimet e reja ishin befasuese.

Nuk ndodh shpesh në futboll që tifozët të duan ekipin kur ai humbet. Sidomos në Shqipëri. Epo, ky nuk ishte rasti me Shqipërinë e Sylvinho-s. Ajo humbje në Poloni me atë mënyrë loje të kuqezinjëve vetëm sa e shtoi dashurinë dhe ndjenjen e tifozëve në mbështetje të ekipit kombëtar shqiptar.

Pati një reagim gjithëpërfshirës nga tifozët, njerëzit e botës së sportit, gazetarët, politikanët e shumë të tjerë në mbështetje të Shqipërisë. Ishte, mbase, përkrahaj më e fuqishme që mund t’i jetë bërë ndonjëherë kuqezinjëve.

Besimi i tifozëve kuqezi te ekipi kombëtar u shpërblye shumë shpejt, me një fitore 2-0 në stadiumin “Air Albania” ndaj Moldavisë. Golat erdhën nga Jasir Asani dhe Nedim Bajrami, njëri më i bukur se tjetri. Goli i parë do të merrte dhe çmimin e “Golit të Raundit” nga UEFA.

Jasir Asani në aksion me kombëtaren shqiptare

U fillua menjëherë të dalloheshin ndryshimet mes Shqipërisë së Reja-s dhe asaj të Sylvinho-s. Shembull është dhe grumbullimi i lojtarëve. Asani u ftua për herë të parë në kombëtare në moshën 28-vjeçare. Ne rastin e Bajramit, ndonëse Shqipëria bëri “luftë” me Zvicrën për shërbimet e tij, Reja nuk para e preferonte. Gjithashtu, Sylvinho duket se gjeti pozicionin ideal në fushë për lojtarët e tij nën skemën 4-1-4-1 apo dhe 4-2-3-1.

Dhe, po kështu janë edhe lojtarët e tjerë si Mario Mitaj, Kristjan Asllani apo edhe Ylber Ramadani, vetëm për të përmendur disa.

Ndeshja ndaj Moldavisë ishte e rëndësishme për të kuptuar edhe ambiciet e Shqipërisë drejt Euro 2024, ndonëse gjithmonë ishte shprehur se arritja në Gjermani ishte obketivi primar.

Ajo fitore do i hapte rrugë një serie të pamposhtur deri në fund të fushatës kualifikuese.

Pas Moldavisë erdhi një fitore 1-3 në transfertën e Ishujve Faroe. Bajrami, Asllani dhe Ernest Muçi ishin autorët e golave, me Sokol Cikalleshin që humbi nje 11 metërsh. Ndërsa, goli i lojtarit të Inter-it u shpall “Goli i Raundit” nga UEFA.

Ndeshja e katërt në kualifikuese ishte ajo, ndoshta, më e rëndësishmja për të provuar forcën e vërtet të Shqipërisë. Një përballje ndaj Çekisë në Pragë.

Vendasit e morën lehtë Shqipërinë, të ndikuar edhe nga imazhi i kuqezinjëve si një skuadër modeste përballë tyre. Trajneri çek, Jaroslav Silhavy, i dorëhequr tashmë, ishte, mbase, i vetmi që nuk neglizhoi forcën e kuqezinjëve.

“Nëse ndokush ka nënvlerësuar skuadrën e tyre, ata me siguri nuk jemi ne. Është një ekip shumë i vështirë, me një numër të lartë individualësh të mirë. Lojtarët e grumbulluar luajnë në kampionate të njohura perëndimore. Shumë prej tyre luajnë në Serinë A, kjo bën të qartë që ata janë përfundimisht lojtarë jo të dobët”, u shpreh Silhavy asokohe dhe duket se kishte të drejtë.

Në Pragë, ndeshja përfundonte 1-1, falë një super goli nga Bajrami. Rezultati shtangu vendasit, por nga ana tjetër i dha shtysë ambicieve të kuqezinjëve se tashmë nuk konsideroheshin si të vegjël pavarësisht forcës së kundërshtarit të tyre.

Pas ndeshjes, Sylvinho deklaronte: “Tani mund të bëjmë llogari. Kemi katër finale”.

Dhe, llogaritë ishin bërë mirë. Barazimi me Çekinë do të pasohej nga dy rezultate të jashtëzakonshme. Dy fitore të mëdha. Dhe, dy fitore që do e shtynin Shqipërinë drejt “Gjermani 2024”.

Tri ditë pas atij barazimi në Pragë, në Tiranë, në folen e “shqiponjave”, luhej një tjetër takim interesant dhe shumë i rëndësishëm. Tifozët ishin aq të dashuruar me kombëtaren kuqezi sa që kërkesat për bileta ishin tmerrëshit të larta.

Në stadiumin “Air Albania” vinte Polonia. Ekipi i cili i kishte shkaktuar Shqipërisë së Sylvinho-s humbjen e parë dhe të vetme në kualifikuese. Ishte gjithashtu ekipi i cili në po atë stadium kishte mundur kuqezinjtë disa kohë më parë duke u hequr mundësinë e kalimit në play-off për një vend në Kupën e Botës 2022. Dhe, mbi të gjitha, ishte ajo Poloni ndaj së cilës Shqipëria nuk fitonte prej 70 vitesh.

Por, gjërat kishin ndryshuar dhe kuqezinjtë ishin gati të ndërmernin çdo hap për të shkruar historinë me gërma të arta.

Një super gol nga Jasir Asani, i cili sërish do të merrte çmimin e “Golit të Raundit”, hapi rezultatin në “Air Albania”. Ndërsa, goli i Mirlind Dakut vulsoi fitoren 2-0. Lojtari i Rubin Kazan pati një debutim ëndrrash në folen e “shqiponjave” duke realizuar pas vetëm një minuti pasi ishte futur në fushë.

Në intervistën pas ndeshjes, Daku, i cili pasi shënoi shpalosi para tifozëve tatuazhin “Katana 138” në ndër të komandantit të ndjerë të UÇK-së, Agim Ramadani, golin ia dedikoi “dëshmoreve të atdheut që dhanë jetën për liri”.

Komandant Ramadani theu kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa Daku bëri bashkë gjithë shqiptarët me emocionet që iu dhuroi pas realizimit të golit dhe me lotët në intervistën që pasoi ndeshjen.

Mirlind Daku feston golin ndaj Polonisë dhe zbulon tatuazhin në nder të Agim Ramadanit, komandantit të UÇK-së

Golat nga Asani dhe Daku vulosën një tjetër fitore të rëndësishme duke e dërguar Shqipërinë për herë të parë në vendin e parë në grup. Vend të cilin e mbajti pa u lëkundur deri në fund të fushatës kualifikuese.

Gati një muaj pas fitores emblematike me Poloninë, “Air Albania” do të bëhej dëshmitare e një tjetër mbrëmjeje të madhe për kuqezinjtë e Sylvinho-s.

Më 12 tetor, Shqipëria priste Çekinë në Tiranë. Ishte një ndeshje që theu çdo pritshmëri si në fushë ashtu edhe në tribuna. Mbi 300 mijë ishte numri i kërkesave për bileta për atë ndeshje, ndërkohë që stadiumi ka një kapacitet rreth 22 mijë e 500 vende. Dhe, biletat avulluan të gjitha në më pak se një orë.

Ajo që premtonte të ishte një natë e madhe për Shqipërinë u bë realitet në fushën e blertë Kuqezinjtë triumfuan pastër 3-0 ndaj Çekisë, kundërshtarit të tyre më të vështirë në lojë.

Si për ironi të fatit, ndeshja u hap nga një super gol i Asanit. Jasiri ishte pikërisht ai ndaj të cilit çekët pohonin se kishin marrë masa për ta penguar të mos gjuante nga distanca, në një kohë kur u bë e njohur cilësia e tij për të realizuar gola të befasishëm nga jashtë zonës së rreptësisë.

Dy golat e tjerë erdhën nga Taulant Seferi. Sulmuesi nga Kumanova çimentoi vendin e tij në formacionin tituallar në krahun e majtë dhe e shpërbelu më se miri besimin që i dha Sylvinho.

Shqipëria udhëhiqte e sigurt Grupin E, përpara Çekisë, Moldavisë, Polonisë dhe Ishujve Faroe. Për tifozët kualifikimi në Evropian, i dyti në historinë e kuqezinjëve, ishte vetëm çështje kohe.

Pavarësisht se Sylvinho, me diplomacinë e tij, thoshte pas çdo ndeshje që “ende nuk jemi të kualifikuar”, besimi ishte në rritje se Shqipëria do të ishte në Euro 2024. Kjo ndikohej edhe nga fakti se ekipi kishte nevojë për vetëm 1 pikë nga dy takimet e fundit për të shkuar në Gjermani në verën e 2024.

Ajo pikë do të vine menjëherë në takimin pasues, në nëntor, ndaj Moldavisë në Kishinau. Sokol Cikalleshi nuk do të gabonte nga pika e bardhë këtë herë dhe do të kalonte kuqezinjtë në avnatazh përballë moldavëve. Ndonëse ishin në fitore në pjesën më të madhe të lojës, në fund, ndeshja përfundoi në barazim 1-1 pas një goli të vendasve në minutën e 87.

Pas fishkëllimes së fundit të gjyqtarit skocez, William Collum, në Kishinau shpërtheu festa kuqezi. Tifozët më besnik të kombëtares kishin udhëtuar nga Shqipëria dhe vendet e tjera të Evropës për të qenë dëshmitar të këtij momenti historik.

Presidenti i FSHF-së, Duka u shfaq i përlotur pas ndeshjes dhe u shpreh: “Ishte fundi i një cikli shumë të bukur. Ishte një edicion fantastik. Çunat kanë thënë maksimumin. Kanë kualitet jo vetëm në shpirt dhe vlerësim për fanellën”.

Në qiellin e shtatë dukej se ishte edhe Sylvinho, i cili shpërtheu në festë, duke përqafuar një pjesë të madhe të tifozëve kuqezi që ishin të pranishëm në stadiumin “Zimbru”.

Shumë larg atij Sylvinho-s së ngurt që mbante ekipin me këmbë në tokë edhe pas fitoreve të jashtëzakonshme ndaj Polonisë dhe Çekisë, këtë herë braziliani u çlirua plotësisht. Objektivi ishte arritur, por ai mund dhe duhej të tejkalohej.

Sylvinho, i cili u shpreh se ishte “krenar” që ishte pjesë Shqipërisë, tashmë po synonte vendin e parë përfundimtar në Grupin E. Dhe, ai vend u arrit pas barazimit pa gola me Ishujt Faroe në “Air Albania” më 20 nëntor.

Shqipëria, revanshi i karrierës së Sylvinho

Me katër fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje, Shqipëria përmbylli fushatën kualifikuese më të mirë që ka zhvilluar ndonjëherë. Ndërsa, Sylvinho, i cili debutoi me humbje, arriti të heshte kritikët dhe të lumturonte tifozët, që aq shumë e kishin pritur këtë moment.

Ecuria fantastike me kuqezinjtë, bëri që ish-lojtari i Manchester City, Arsenal dhe Barcelona të rreshtohej në mesin e trajnerëve më të mirë të vitit, në një përzgjedhje nga Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS).

Ata që do të kishin menduar këtë revansh të karrierës së Sylvinho-s një vit më parë mund të numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë.

Një ish-asistent te Inter-i dhe asistent i Tite te Corinthians dhe në ekipin kombëtar brazilian, Sylvinho nuk arriti rezultate të rëndësishme në dy punët e para të drejtimit si i vetëm në stol.

Te Lyon, klubi që e nënshkroi për sezonin 2019-20, situata u bë katastrofike. Braziliani fitoi vetëm tre nga 11 ndeshjet zyrtare në të cilat drejtoi skuadrën dhe e la pranë zonës së rënies në kampionatin francez.

Te Corinthians gjërat shkuan pak më mirë, edhe pse pa ndonjë arritje përkatëse. Ai kaloi nëntë muaj në këtë pozicion (nga maji 2021 deri në shkurt 2022), u eliminua në raundin e tretë të Copa do Brasil dhe përfundoi Brasileirao në vendin e pestë.

Por, ai asnjëherë nuk arriti një shkëlqim si ai me kuqezinjtë e Shqipërisë. Megjithatë, për Sylvinho-n rinisja e karrierës ka ndodhur në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe ai tashmë po shijon frytet e punës së tij të palodhur.

Lojtarët e Shqipërisë festojnë kualifikimin në Euro 2024 nga Kishinau

“Guxo për të shpresuar”, thotë Barack Obama, i cili pas shumë ulje-ngritjeve, dështimeve dhe sakrificave arriti të ngjitej në maj të politikës së SHBA-ve, duke u bërë presidenti i parë me ngjyrë që drejtoi shtetin më të fortë në botë.

Sylvinho guxoi duke marrë drejtimin e Shqipërisë, një kombëtare që dukej se po prekte fundin në fund të epokës së Edy Reja-s. Braziliani guxoi, shpresoi dhe në fund të fundit ai tani është trajneri i vetëm jo-evropian që do të menaxhojë një ekip në Euro 2024.

Euro 2024 dhe ëndrra kuqezi

Duke u bërë një nga ekipet e kualifikuara direkt në Euro 2024 nga faza e grupeve, Shqipëria, ndonëse e fundit në renditjen e FIFA-s nga ato kombëtare, pa përfshirë 12 të tjerat që shkuan në play-off, synon të vazhdojë të kërcejë “samba”-n e mësuar nga Sylvinho.

Shorti i grupeve të Euro 2024 i hedhur më 2 dhjetor 2023 në Hamburg të Gjermanisë nuk ishte aq bujar sa ai i kualifikueseve. Ishte një short që realisht shpresohej të ishte më i lehtë, por kësaj here ra ai më i keqi i mundshëm. Kuqezinjtë përballen me tre ekipe që janë në “top 10” e renditjes së FIFA-s, ndërsa ata vetë janë të 62-ët.

Shqipëria, si pjesë e Grupit B, do të duhet të ndeshet me Italinë, Kroacinë dhe Spanjën për të shkruar një faqe të re në historinë e saj që do të ishte kualifikimi në një fazë me eliminim direkt në një Evropian.

Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e parë ndaj Italisë më 15 qershor në stadiumin e “Signal Iduna Park” të Borussia Dortmund-it, ndërsa më 19 qershor me Kroacinë në stadiumin “Volksparkstadion” Hamburg. Ndeshja e fundit e grupit do të jetë ajo ndaj Spanjës, që do të luhet më 24 qershor në stadiumin “Dusseldorf Arena”.

“Grupi është i vështirë, por të gjitha janë të vështira”, tha Sylvinho pas shortit, duke iu referuar faktit se në turne të tillë nuk ka kundërshtarë të dobët.

Dhe, edhe një herë si gjatë ndeshjeve kualifikuese, Sylvinho theksoi: “Ne duhet të përmirësohemi akoma më shumë dhe të jemi gjithmonë me këmbë në tokë, duhet të fillojmë të bëjmë një rrugëtim që të mësohemi të luajmë në Evropian dhe të ecim ngadalë-ngadalë”.

“Duhet të mësohemi të luajmë në Evropian, duhet të kualifikohemi edhe në Kupën e Botës, pastaj të shkojmë sërish në Evropian”, vijoi trajneri brazilian.

Fjalët e trajnerit vijnë edhe duke parë potencialin e madh që ka Shqipëria, aktualisht, por edhe për të ardhmen. Përsa i përketë kësaj të fundit, janë disa emra të cilët janë interesant si Marvin Çuni dhe Arijon Ibrahimovic të Frosinone, Medon Berisha i Lecce, Nelson Weiper dhe Bryan Gruda të Mainz, për të përmendur vetëm disa.

Me lojtarët e sipërpërmendur, dhe me ata aktual si Armando Broja, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Mario Mitaj, Ernest Muçi, Mirlind Daku, Arbnor Muja, për të përmendur vetëm disa, Shqipëria ka gjithë mundësitë për të qenë e rregullt në Kampionatet Evropiane të ardhshme, pse jo dhe në Kupën e Botës.

Të mos harrojmë edhe një fakt, Shqipëria nuk përbehet vetëm nga lojtarë që vijnë nga Republika e Shqipërisë, por nga mbarë kombi. Kjo do të thotë se janë mbi 10 milionë shqiptarë në gjithë botën, praktikisht i bëjnë kuqezinjtë një kombëtare të madhe. Portugalia ka një numër të ngjashëm popullsie, dhe, ajo ishte kampione në Euro 2016. Kroacia, kundërshtare e Shqipërisë në Euro 2024, ka një popullsi midis 5-10 milionë banorëve, dhe ajo ka arritur në vitet e fundit të jetë në “top 4”-shen e Botës në dy raste.

Ndaj, rrugëtimi i Shqipërisë sapo ka filluar. Ëndrra vazhdon…

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore