Shqipëria

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve u ulën me 300 euro në 2020


Sipas Ministrisë së Financave, një qytetar ka humbur mesatarisht gati 300 euro të ardhura vjetore në 2020.

Qeveria ka llogaritur që të ardhurat për frymë janë tkurrur me 36 mijë lekë ose rreth 300 euro në 2020, krahasuar me 2019.

Të ardhurat mesatare për frymë në vitin 2020 arritën në 552 mijë lekë, krahasuar me 588 mijë në 2019.

Ekonomia shqiptare pësoi goditje gjatë dy viteve të fundit. Në nëntor të vitit 2019, vendi u godit nga një tërmet që solli dëme në njerëz dhe në ekonomi. Në mars të vitit 2020, pandemia impaktoi aktivitetin ekonomik në vend.

Qeveria ka parashikuar që të ardhurat për frymë do të rikuperohen plotësisht këtë vit. Ato pritet të arrijnë në 592 mijë lekë duke rikuperuar humbjen e vitit 2020.

Sektori i biznesit dhe ekspertët nuk janë optimistë për një rimëkëmbje të shpejtë. Rikuperimi i humbjeve të shkaktuara nga pandemia pritet të ndodhë gjatë dy viteve në vijim.

Shqipëria është veçanërisht e ekspozuar ndaj tkurrjes ekonomike prej pandemisë për shkak se mbështetet tek sektori i turizmit. Një tjetër faktor janë marrëdhëniet me disa ekonomi të BE-së, të prekura rëndë nga pandemia.

Sipas INSTAT-it, për tremujorin e parë të vitit 2020, ekonomia ka pësuar rënie me 2.52%, krahasuar me tremujorin e parë në 2019.

Qeveria parashikon që në 2024, të ardhurat për frymë do të jenë 727.6 mijë lekë, me një rritje 32% nga viti 2020.

Punësimi në Shqipëri u godit nga kufizimet në lëvizje dhe pezullimet në sektorin e shërbimeve. Sipas të dhënave zyrtare, në tremujorin e dytë të vitit 2020, rreth 47 mijë persona në sektorin privat humbën vendet e punës.

Covid-19 ka ndikuar në uljen e pagave në sektorin privat, ndërsa pagat në shtet kanë vijuar rritjen. Sipas INSTAT-it, paga mesatare mujore bruto, gjatë tremujorit të tretë 2020, ishte 52.815 lekë, duke rezultuar në një rënie me 2.5% në krahasim me tremujorin e dytë 2020.

Rënia e pagave në tremujorin e tretë, në raport më të dytin është konstatuar vetëm në sektorin privat. Sipas INSTAT-it, paga mesatare mujore në sektorin privat ishte 47,486 lekë, duke shënuar një rënie me 3.6%, në krahasim me tremujorin e dytë./AlbanianPost.com

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore