Muzikë

Tayna “All In One”?


Gratë në muzikën rep kanë qënë historikisht të objektifikuara në tekstet e këngëve që këndoheshin nga burra machoman.

Kjo lloj muzike ka qenë e dominuar nga artistët burra ndoshta edhe për faktin se nisi si formë proteste kundër shtypjes së të drejtave të njerëzve me ngjyrë, e më vonë duke evoluar me kulmim të teksteve që tentojnë të seksualizojnë dhe objektivizojnë gratë.

Por, si në botë, ashtu edhe në trojet shqipfolëse, u deshën vite, që në tregun e industrisë së muzikës rep të shfaqeshin emra të rinj, por jo burra – ishte radha e grave me gjasë.

Në Kosovë, pesë vjet më parë, në skenë do të ngjitej një prej artisteve që shpejt do të shndërrohej në ikonë të muzikës rep – Tayna, emri i vërtetë i të cilës është, Doruntina Shala.

“Columbiana” e publikuar në ditën e parë të muajit qershor në vitin 2018, i dha asaj famën që po e kërkonte ndoshta, por suksesi i saj padyshim i përket stilit unik të kombinimit të repit me elemente pop-i.

Vetëm pak ditë para Tayna-s, debutim në tregun rep të muzikës bënë edhe dy artiste të tjera, Rina Balaj që tashmë kishte plasuar dy projekte paraprake veçse jo në zhanrin rep, si dhe Melinda Ademi që aso kohe, solli projektin e parë muzikor për tregun shqiptar.

Si një reçetë suksesi, që të tri vajzat që po ndryshonin frymën e repit në shqip, debutuan në këtë zhanër me bashkëpunime – Rina zgjodhi Feron “S’ka konkurrencë”, Melinda bashkoi forcat me Seven Saraçin “Lulija”, kurse Tayna solli bashkëpunimin me Don Phenom “Columbiana”.

Në këtë garë të parë mes tri rep artisteve, triumfoi bindshëm Tayna me Don Phenom, duke grumbulluar mbi 74 milionë shikime në YouTube, kurse Rina dhe Fero u klikuan afro 21 milionë e 500 mijë herë, derisa Melinda dhe Seveni, arritën një shifër prej 11 milionë e 500 mijë shikimesh në të njëjtën platformë.

Klikimet që grumbulluan tri bashkëpunimet në platformën YouTube.

Tayna, tanimë një emër që nuk ka nevojë për prezantim, e për shumë kë është një shembull frymëzues, përfshirë edhe artistët që përpiqen të gdhendin emrin e tyre në industrinë konkurruese të muzikës së sotme.

Por saktësisht si ia doli ajo?

Talenti

Kur Tayna doli në skenë në mes të vitit 2018, të thuash se repi femëror nuk ekzistonte në atë kohë do të ishte e rreme, por absolutisht diferencën arriti ta bëjë.

Para ardhjes së saj, muzikën rep e kishin prekur edhe vajza të tjera, disa u tërhoqën, e disa u zhvendosën kryesisht në skajet e industrisë muzikore, ajo hyri dhe qëndroi stoike.

Kësisoj, Rina u tërhoq nga repi, kurse Tayna e Melinda vazhduan garën – klikimet tregojnë ndoshta saktë, se kush përshkoi rrugëtim më të suksesshëm.

Ndeshemi me një diferencë prej plot 586 milionë klikimesh në YouTube, nga shifrat e nxjerrura prej projekteve të publikuara vetëm në dy kanalet e rep artisteve, Tayna në kanalin zyrtar të “Friend’s Entertainment”, pasi që prej fillimit, këngët e saj i ka publikuar në këtë llogari të labelit menaxhues, si dhe Melinda, në kanalin me emrin e saj në të njëjtën platformë.

Tayna vs Melinda.

Për të sfiduar status quo-në në atë kohë, e vetmja zgjedhje që kishte Tayna ishte “të prishte” plotësisht tregun muzikor duke e prezantuar “rep artisten femër” si të gjithanshme – dhe ia doli.

Fotografi e shkëputur nga video klipi i këngës “Fake” nga Tayna.

Duke i kushtuar më shumë se gjysmë dekade përpjekjesh dhe punë të palodhur për të shtyrë repin femëror në qendër të vëmendjes, do të ishte e padrejtë të mos njiheshin kontributet e saj në këtë zhanër.

Gjatë gjithë karrierës së saj, Tayna ka demonstruar një disiplinë dhe inteligjencë që është e rrallë në mesin e yjeve të tjerë të brezit të saj.

Ajo që me të vërtetë e dallonte Tayna-n nga të tjerat, ishte një kulm i ndjeshmërisë së pop-it të përzier me aftësinë e saj unike të repit, fiks si MC.

“Lëshoja zonin kur femna u’a zë krejt ktyne fronin, mas çdo versi që ju lëshoj e gjuj n’tokë mikrofonin. Idollin ton e kom n’DM po ma lun faraonin, e silli me qet gisht e i thom ‘mos ta ni zonin’”, repon Tayna, mes tjerash në një prej ‘freestyle-ve’ të saj.

Para debutimit të saj, ajo e kishte vërtetuar se ka talent mbi muzikën duke publikuar ‘covers’, si ai i “Ring The Alarm” nga Beyonce, apo “The Worst” të Jhene Aikos.

Një tjetër faktor kyç që i atribuohet suksesit të saj vazhdon të jetë aftësia e saj për t’u përshtatur me kohën.

Perandoria e saj dërgon mesazhe të fuqizimit, këmbënguljes dhe sovranitetit të gruas në një botë të dominuar nga burrat.

“Jena kon ‘queens’ që n‘fillim thirrëm Teuta, Kelmendët e kanë pru Norën, prej saj janë tutë këta. Shote Galica u nis man, i kom ç’burrnu kta, ju qes dardhë për darkë se tuta han dardha t‘buta”, është një prej repturave të Tayna-s në këngën “Heroinat”.

Fotografi e shkëputur nga video klipi i këngës “Bass” nga Tayna.

Joshja e Tayna-s shtrihet përtej aftësive të saj muzikore, duke përfshirë një sensualitet magjepsës që tërheq fansa të panumërt.

Ajo mishëron një shkrirje aftësish dhe atributesh – e talentuar, mahnitëse, e sigurt, sensuale dhe e sofistikuar.

Një personalitet që tërheq vëmendjen me zërin e veçantë, stilin unik dhe eksplorimin e zhanreve dhe temave të shumta në muzikë, që e lakuan atë edhe si një sensacion në industrinë e muzikës shqipe.

Talenti mbi muzikën, forcohet akoma më shumë, kur dihet se ylli i hitit “Shqipe”, kujdeset vet për tekstet e saj, dhe ndonjëherë, sjellë copëza të shkëputura nga jeta prapa kamerave.

Një shembull konkret, kënga “Doruntina” – e shkruar nga Tayna, dhe e influencuar pikërisht nga historia e saj e dashurisë – suksesi nuk mungoi, aktualisht kënga numëron mbi 33 milionë klikime në platformën YouTube.


Vigjilenca

Megjithëse, Tayna tanimë ka një reputacion që i ka dhënë asaj emër, edhe në vendet përtej Ballkanit, ajo ka arritur ta mbajë jetën e saj private larg prej syrit të kamerave.

Provoni të gjeni një rast të vetëm, kur Tayna ka pushtuar kryetitujt e mediave rozë me një ngjarje nga jeta e saj intime, apo një skandal?

Ylli i hitit “Sicko” ka preferuar të rreshtohet në krahun e artisteve që famën nuk e mbajnë me skandale, as me romanca – por vetëm me punë, angazhim e përkushtim.

Në fakt, Tayna ka arritur të bëjë diferencën edhe me paraqitjet e saj televizive – a nuk është pak e rrallë të shohësh një artiste, të talentuar, por edhe të artikuluar mirë që nuk i frikësohet asnjë lloj pyetje që mund t’i vijë nga gazetarët përballë?

Së fundmi, Tayna si rrallë herë, dha një intervistë për Berat Buzhalën, ku edhe një herë e mirë, i bëri me dije publikut, se prapa vajzës që shfaqet në klipe me veshje tërheqëse, ndonjëherë edhe goxha provokative – qëndron një grua e matur, që di të shprehet edhe në të folur, e që librat vijon t’i ketë pasion të madh.

Një nga pyetjet ndoshta të sikletshme në të cilat u vu Tayna gjatë intervistës në fjalë ka qenë – “A i dëgjon këngët e tua me familje?”, duke iu referuar teksteve eksplicite.

“Prindërit e mi janë shumë mbështetës, e shumë mendjehapur, fansa të Michael Jackson-it”, tha ajo e relaksuar, derisa me një dozë çiltërsie, zbuloi një hatërmbetje me të atin mbi një këngë të publikuar ilegalisht (jo nga ajo), e që përmbante fjalë të forta eksplicite.

E gjithë intervista, si kurrë më parë, shfaqë personalitetin e kuruar të Tayna-s për afro 60 minuta, derisa shumë prej komentuesve, si edhe Buzhala, u shfaqën të habitur nga elokuenca e saj, duke i shembur kështu paragjykimet e ngritura në publik, se një artist, vështirë mund të jetë “multidimensional”.

“Duhem me e pranu, po më pëlqen fjalorthi yt. Fatkeqsisht në industrinë ku je ti, mua më ka rënë të bisedojë me estradën, por që e dëshmojnë me intervistë që janë të varfër në lexim. Me gjasë, ti nuk e ke problem leximin”, thotë në një moment Buzhala drejtuar Taynas, ndoshta pak i surprizuar nga aftësitë e saj oratorike.

Intervista me Buzhalën, ishte veç një tregues, se storiet që ajo ndan kohë pas kohë në llogarinë e Instagramit, ku ajo numëron mbi 1 milion e 600 mijë ndjekës, e ku jo rrallë herë ndan imazhe të librave që lexon, nuk janë veç imazhe të shkrepura për një postim, por një realitet që e shoqëron atë në rutinën e saj.

Suksesi

Ndoshta, as Tayna nuk do ta kishte parashikuar kurrë suksesin që filloi të korrte që në vitin debutues. Veç në vitin 2018, ajo publikoi gjithsej gjashtë këngë, dy prej tyre bashkëpunime, e katër të tjera solo.

Që të gjashtë këngët morën epitetin e “hiteve” – “Columbiana”, “Shqipe”, “Doruntina”, “Fake”, “Pow Pow” dhe “A je” me Ledri Vulën.

Suksesi i saj bëri bujë gjithandej, prandaj, jo më kot, ajo u zgjodh “Personazhi i vitit 2018”, nga emisioni më i famshëm shqiptar i ShowBizit,“Prive”.

Deri në vitin 2023, Tayna do të vazhdonte publikimin e njëpasnjëshëm të këngëve të saj, për dallim nga një pjesë e estradës, kurrë pa e tepruar me bashkëpunime – repertuari i saj, është i mbushur me video projekte solo muzikore.

Përsëri, për dallim nga artistët më eminentë vendorë, shumica prej të cilëve nuk numërojnë një album të vetëm në karrierë, Tayna vazhdoi me trendin e saj personal – “Bipolar” ishte albumi që shfaqi një sërë këngësh hite, përfshirë: “S’du me ni”, “Heroinat”, “Pijetore”, “Teket”, “Tequila” e plot të tjera.

Tayna arriti të dominojë bindshëm edhe krahasuar me bashkimin e emrave të tjerë në mes të vajzave të estradës.

Para katër vjetësh, ajo zgjodhi të bashkëpunojë me këngëtaren, Dafina Zeqiri, derisa bashkë sollën këngën “Bye Bye”.

“Bye Bye”, mbetet kënga më e klikuar ndonjëherë nga dy artiste shqiptare, me gjithsej 78 milionë klikime.

Shifrat e klikimeve të top tre rep bashkëpunimeve.

Më herët, gjatë këtij viti, Dafina ka sjellë edhe një bashkëpunim me rep artisten e re, Ya Nina, por dyshja qëndrojnë larg suksesit që dikur “Bye Bye” kishte korrur – “Nasty x See me”, numëron veç 9 milionë klikime në YouTube.

Po ashtu gjatë këtij viti, një bashkëpunim tjetër erdhi edhe në mes të Melinda Ademit e Rina Balajt. Ato prezantuan këngën “Tornado”, e cila deri më tani, ka arritur të grumbullojë 5 milionë e 500 mijë klikime.

Madje, në bazë të shifrave, krahasuar edhe me zhanret e tjera, “Bye Bye” është kënga më e klikuar nga dy artiste gra në gjuhën shqipe, duke lënë pas kështu Kidën me Xhensilën “Uh Baby” (57 milionë klikime), Dhurata Dora me Elvana Gjatën “Gajde” (42 milionë klikime), “Nuk e di” (29 milionë klikime) nga Nora dhe Era si dhe Dafinën e Kidën “Luje belin” (22 milionë klikime).

Gojët e liga do t’i arsyetonin shifrat e klikimeve me format e lakmueshme trupore të Tayna-s dhe video klipet avangarde, por përsëri, ajo e dëshmoi të kundërtën.

Tayna, ka gjithsej dy këngë të publikuara pa video klipe dhe vetëm me titra, e që të dyja u klikuan bollshëm – “Sorry”, grumbulloi plot 11 milionë klikime në YouTube, derisa “A jo”, 8 milionë e 400 mijë sosh.

Suksesi i përpjekjeve të Tayna-s për të bindur industrinë e muzikës se repi femëror ia vlen të riinvestohet është vetëm një arsye pse ajo e meriton qëndrimin e saj në krye të listës së rep artisteve femra më të mëdha shqiptare ndonjëherë.

Kanë kaluar pesë vjet, dhe Tayna akoma mbetet po ashtu një nga emrat më të prenotuar për mbrëmjet rinore dhe koncertet e ndryshme, brenda dhe jashtë vendit, gjithandej ku flitet shqip.

Sot, Tayna është akoma vetëm 26-vjeçe – një pyetje lind natyrshëm, çfarë do t’i sjellë tjetër kjo rep artiste industrisë së muzikës në vend në të ardhmen? Mbetet të shihet.

Por, një gjë është e sigurt, ajo tanimë e ka siguruar vendin në piedestalin e famës dhe ka lënë gjurmë të pashlyeshme në revolucionin e muzikës rep në trojet shqipfolëse!

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore