Kandidati fitues i zgjedhjeve lokale të Himarës, Vangjel Tavo, ka reaguar pas deklaratës së kundërshtarit të tij në këto zgjedhje, Petro Gjikuria.
Ky i fundit akuzoi mazhorancën, duke e cilësuar një forcë që tjetërsoi vullnetin e banorëve të Himarës.
“Të kujtoj i dashur, se këtë herë në Himarë pati më shumë votues se sa vjet, kur qeveria e kishte shtyrë afatin e skadimit të kartave të identitetit. Dhe rezultati është ky që është, produkt i vullnetit të lirë të qytetarëve, ndërkohë që nuk pati se as nuk kishte si të kishte mijëra zgjedhës të cilëve iu mohua e drejta, pasi koha e votimeve 99.99% ka ikur me diktaturën”, thotë Tavo.
Ai shprehet mirënjohës fillimisht, pasi Gjikuria e ka marrë në telefon më herët për ta uruar për fitoren. Tavo ripërsërit ftesën për të bashkëpunuar me Gjikurinë si nënkryetar të bashkisë Himarë.
“Do të isha shumë i nderuar nëse do ta pranoje propozimin tim, ndërsa në rast të kundërt të uroj megjithë zemër rrugë të mbarë për Amerikë dhe suksese atje”.
Por në të gjitha rastet ai i kërkon të mbeten në konktat.
“Për Himarën mos u shqetëso, sepse është në duart të sigurta dhe ka mbështetjen e padiskutueshme të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste”.
Reagimi i Gjikurisë
Kandidati i opozitës për zgjedhjet lokale në Himarë, Petro Gjikuria, ka reaguar pas humbjes së shpallur këtë mëngjes të 5 korrikut.
Gjikuria nëpërmjet një postimi në median sociale shkruan se “patëm një betejë të madhe”.
“Një betejë e cila ishte vazhdim i shumë betejave të mëdha që kanë bërë himarjotët, sidomos vitet e fundit të udhëhequr nga Fredi Beleri. Kjo betejë ishte pararojë e betejave të ardhshme që do të thirremi për vendin tonë”.
Ai mbetet i bindur se në këto zgjedhje “pamë metoda antidemokratike në të gjitha stadet e tyre”.
Për të rezultati ishte produkt i transformimit të listës së zgjedhësve me qëllim përshtatjen e saj me “interesat e kundërshtarëve tanë, duke i dhënë mundësinë një ushtrie partiake të merrte pjesë në zgjedhje dhe njëkohësisht, duke u mohuar këtë të drejtë mijëra qytetarëve të Himarës, si dhe duke përfshirë shtetin dhe parashtetin”.
“Qëllimi ishte pasja e një tjetër kryebashkiaku të dobët, i cili do t’u shërbejë interesave të Edi Ramës dhe partisë së tij”.
Në fund Gjikuria ka falënderuar të gjithë ata që e ndihmuan në këtë fushatë elektorale.
Ai premton se beteja për të nesërmen e Himarës vazhdon.
Rezultati
Vangjel Tavo u shpall fituesi i zgjedhjeve në Bashkinë Himarë.
Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, pas numërimit të 36 kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste ka marrë 5022 vota (58.62%) kundrejt kandidatit të opozitës Petraq Gjikuria i cili ka marrë 3545 vota (41.38%).
Procesi i votimit ishte i qetë, por një nga problemet që u shfaq ishte se rreth 6 mijë zgjedhës rezultonin me karta identiteti të skaduara.
Ndryshe nga zgjedhjet e fundit – kur vlefshmëria e kartave të skaduara u shty në shkallë kombëtare – ditën e djeshme zgjedhësit nuk u lejuan të votojnë.
Qytetarët kishin të drejtë të votonin në 36 qendra votimi për kandidatët e tyre, të cilët nuk kanë jetuar në Himarë.
Gjikuria është një sipërmarrës me origjinë nga Dhërmiu që migroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa Tavo është një politikan që ka përfaqësuar në Parlament zonë e Dropullit.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com