Tatimi për profesionistët e lirë/ Kushtetuesja mbyll shqyrtimin ligjor, vendimi për 30 ditë

SHFLETO
Rajmonda Basha
25.06.2024 16:57
Loading Icons...

Gjykata Kushtetuese do të dalë me një vendim brenda muajit nëse do ta shfuqizojë apo jo ligjin për tatimin e profesionistëve të lirë.

“Trupa gjykuese tërhiqet për të marrë vendim. Data dhe ora e shpalljes së vendimit do ju njoftohet sipas parashikimeve ligjore”, tha kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, e cila ka përfaqësuar Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike dhe katër grupe interesi, ka paraqitur sot (ashtu siç ishte kërkuar) përfundimet lidhur me ligjin për profesionet e lira, në një padi dërguar Gjykatës Kushtetuese.

Në seancën e konkluzioneve, deputetja e PD Tabaku u shpreh për përfundimet.

Ajo artikuloi se kërkesa e grupit nuk lidhej me marrjen e atributit të këshillit të ministrave për politikat fiskale, por kundërshtia e padisë lidhej me kushtetuetshmërinë e këtij ligji. Ajo më pas vuri në dukje se përdorimi nga ana e qeverisë e raporteve të FMN dhe Bankës Botërore ishin të keqpërdorura.

“Raporti i FMN-së që ju cituat pak më parë, thotë që një bazë e vogël personash të taksuar dhe një pafuqi në mbledhje vijnë nga zbatimi i dobët i ligjit, nga sistemi aktual i taksave që është kompleks dhe i fragmentarizuar dhe ndryshimet e shpeshta ad hoc kanë qenë minuese në lidhje me stabilitetin dhe transparencën e këtij sistemi dhe nga një lexim i drejtë i kësaj përputhen njëkohësisht me vendimin e shkuar të Gjykatës Kushtetuese “ për një sistem më të ndershëm, më eficent, më të thjeshtë dhe më transparent, që duhet të luftojë informalitetin”, artikuloi Tabaku.

Përfaqësueset e Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave thanë se tatimi i profesionistëve erdhi si rezultat i abuzimeve të bëra, dhe se brenda pak vitesh këtë tatim do e paguaj edhe biznesi i vogël.

“Të ardhurat e këtyre subjekteve në 5 vitet e fundit sipas vetë-deklarimeve të profesionistëve janë 3 miliardë dollarë ku fitimi neto është 1.7 miliardë dollarë, që përkthehet në mungesë tatimi në buxhetin e shtetit 25 miliardë lekë. Kemi argumentuar efektet negative dhe devijimet që ka sjellë skema përjashtuese e kësaj kategorie, si rritja e lartë e numrit të të vetë paguesve, mos zgjerim biznesi, stopim i rritjes së punësimit në listë pagesa duke krijuar skema për të shmangur tatimin dhe për të përfituar padrejtësisht nga lehtësia fiskale”, tha përfaqësuesja e Kuvendit.

Çfarë parashikon paketa e re fiskale?

Janë 26 kategori të profesioneve të lira që do të tatohen, të ndara në 180 profesione sipas llojit të aktivitetit.

Të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi sipas normave respektive 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi.

Sipas paketës, sugjerohet një rritje të të ardhurave në arkën e shtetit dhe rregullime në disa sektorë.

Ndërsa, do të ketë një tavan prej 1.5% në rritjen dy-vjeçare të akcizave, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe me normën e inflacionit.

Për uljen e këtij të fundit, Banka e Shqipërisë vendosi së fundmi edhe rritjen e normës bazë të interesit në 3.25%.

Thënë kjo, akciza e karburanteve, birrës, apo verës, nuk do të rritet me 11% si vitet e shkuara, por shtesa do të ndalet në vetëm 1.5%.

Nga ana tjetër, me rekomandim të Bashkimit Evropian, do të vendoset një taksë mbi industrinë e hekurit, çimentos dhe prodhimit të ferro-kromit.

Kjo, për shkak të emetimeve të karbonit që këto industri të rënda lëshojnë.

Këto kompani që përdorin qymyrin si lëndë të parë, paguajnë vetëm 3 lekë/kg si taksë karboni, dhe nga viti 2024 deri në 2030 ato do të paguajnë 15 lekë/kg.

Përjashtim nga taksat ndërkohë, sipas planit të Qeverisë, do të kenë importi i mëshqerrave dhe insekteve, ku përfshihen edhe bletët.

Në bazë të kësaj politike të re, synohet që të ketë një rritje të krerëve në vend si edhe zhvillim të mëtejshëm të bletarisë, apo stimulimit të prodhimeve të njohura si “bio”.

Ndryshime do të ketë edhe në ligjin për procedurat tatimore.

Kështu, nëse kompanitë nuk paguajnë në kohë tatimin korporativ apo mbi të ardhurat personale do të ketë gjoba proporcionale dhe jo fikse. Çdo ditë e papaguar, gjobës do t’i shtohet një kamatë me 0.06% e detyrimit.