Shqipëria

Tatimi për profesionet e lira, ekspertët kërkojnë të mos ketë diskriminim


Nga janari i vitit 2024 më shumë se 16 mijë të vetëpunësuar në Shqipëri, që ofrojnë shërbime profesionale do të taksohen 15 deri 23%.

Projektligji ishte raportuar dhe miratuar që në fillim të vitit por këtë javë u botua dhe udhëzimi nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

MFE ka qartësuar se profesionistët e lirë do të taksohen në dy fasha.

Kategoria e profesionistëve të lirë me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të tatohet 15%, ndërsa e atyre me fitime mbi 14 milionë lekë to tatohen 23%.

Disa nga profesionet që do jenë pjesë e skemës, janë avokatët, fotografët, arkitektët, kontabilistët, dentistët, farmacistët, dizajnerët, përmbaruesit, videografët, specialistë IT etj.

Madje parashikohet që të ardhurat nga platformat si Tik-Tok, Instagram, Facebook, Youtub Booking dhe AirBnB Google, apo në platforma të blerjes së mallrave, do t’u kërkohet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat në masën 15%.

Dhe pse vendimi është praktikisht i miratuar, ekspertët kanë treguar hezitim.

Sipas tyre është e padrejtë që të ketë një barazim me tatimfitimin e korporatave, në një kohë kur në draft përcaktohet se biznesi i vogël do të vazhdojë me tatim 0% deri në dhjetor të vitit 2029.

Kontabilisti, Sotiraq Dhamo ngriti shqetësimin në Komisionin parlamentar të Ekonomisë se ndryshimet krijojnë pabarazi mes tatimpaguesve.

Për të, nëse nuk paguan një kategori biznesesh nuk kanë pse të paguajnë profesionet e lira.

“Ne jemi dëshmitarë që shumë biznese të vogla hapin dyqane tregtare të çuditshme, që punojnë gjashtë muaj apo 1 vit dhe më pas mbyllen, rihapen apo mbyllen sërish. Këto lloj biznese me xhiro deri në 14 milionë lekë do ta kenë tatimin zero, ndërsa të gjitha profesionet e lira duhet të paguajnë tatim 15 apo 23%”.

Kështu ai u shpreh se nuk është kundër ligjit, por se duhet të ketë një rishikim.

Edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Fatos Çoçoli, mbetet në të njëjtën linjë mendimi, pasi sipas tij “nga tatimi 0 për biznesin e vogël e deri te ky tatim për profesionet e lira është shumë”.

E kjo “shumë”, do të ketë edhe një kosto për qytetarët, mendojnë ekspertët.

Me një logjikë të thjeshtë taksimi mbi të ardhurat vjetore për të vetëpunësuarit do të sjellë rritje të çmimeve të shërbimeve profesionale që ata ofrojnë.

Pra një specialist IT-je, i cili “detyrohet” të paguajë më shumë taksa, këto të ardhura shtesë do t’i shkarkohen dikur tjetër, dhe fundori janë qytetarët.

Eksperti i ekonomisë, Eduart Gjokutaj, u shpreh se masa madje do t’i detyrojë profesionet e lira të kalojnë në informalitet ose t’i nxisë të largohen drejt vendeve fqinje.

“Informaliteti” dhe “largimi” nuk janë dy pikat e forta të vendit që ka vite, që po i lufton dhe punon në reformimin e tyre.

Si ndikojnë ndryshimet e ligjit për “tatimin mbi të ardhurat” te korporatat dhe individët

Si ndikojnë ndryshimet?

Sipas përkufizimit, të ardhurat nga punësimi përfshijnë pagat, rrogat, shtesat, kompensimet dhe shtesat e tjera që rrjedhin nga marrëdhëniet e punës ose të ngjashme, pagesat e bëra në rast të humbjes ose përfundimit të marrëdhënieve të punës.

Ndër të tjera, ligji përfshin edhe përfitimet në natyrë të matura me vlerën e tregut të cilat më parë nuk ishin trajtohen si të ardhura nga punësimi që i nënshtrohen taksave mbi pagën.

Ai parashikon që përkufizimi i të ardhurave nga punësimi përfshin të ardhurat e fituara nga një individ i vetëpunësuar nëse të paktën 80 për qind e të ardhurave të fituara rrjedhin drejtpërdrejt ose tërthorazi nga një klient i vetëm ose nëse të paktën 90 për qind e të ardhurave totale të fituara rrjedhin nga dy klientë.

Megjithatë, këto kritere nuk zbatohen nëse individi i vetëpunësuar ofron shërbime vetëm për individë rezidentë jo-tatimorë ose subjekte jo-rezidente që nuk kanë seli të përhershme në Shqipëri.

Ligji i ri prezanton një taksim të ri progresiv të të ardhurave duke vendosur pragjet vjetore dhe normat tatimore: për të ardhurat deri në 2 milionë e 40 mijë lekë, tatimi do të zbatohet me masën 13 për qind ndërsa për të ardhurat mbi këtë shifër, tatimi do të zbatohet me masën 23 për qind.

Nëse individi është i punësuar nga më shumë se një punëdhënës, atëherë punëdhënësit e tjerë të ndryshëm nga ai kryesor duhet të llogarisin tatimin mbi të ardhurat nga punësimi pa marrë në konsideratë asnjë zbritje si më sipër.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore