Kosova

Taravari kërkon që të mos abuzohet me incidentin e Osmanit: Ajo s’ka shkaktuar tensione të panevojshme


Presidentja Vjosa Osmani dhe ministri Arben Taravari

Ministri shqiptar i Shëndetësisë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, ka kërkuar që të mos abuzohet me rastin e presidentes, Vjosa Osmani, sa i përket incidentit që ka pasur në Aeroportin e Shkupit.

Ai ka thënë se Osmani s’do të shkaktonte tensione të panevojshme.

“Mos abuzoni me rastin e Presidentes Vjosa Osmani. Lërini autoritetet të qartësojnë rastin dhe pa asnjë mëdyshje do të mbahet përgjegjësi për çdo parregullsi”.

“Presidentja Osmani është një kalorëse e paqes dhe e stabilitetit, duke e njohur natyrën e saj, jam i bindur se kurrë dhe asnjëherë nuk do donte të shkaktonte tensione të panevojshme”, ka shkruar Taravari në rrjetin social ‘Facebook’.

Zyra e Presidencës është shprehur e indinjuar me deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të cilët kanë thënë se kur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, i është kërkuar telefoni i saj të kalonte përmes skanerit, një person nga sigurimi i saj ka kërkuar që Osmani të kalonte pa u skanuar fare.

Këto deklarata nga presidenca i kanë vlerësuar si të papranueshme.

“Presidenca e Republikës së Kosovës shprehë indinjatën për deklarimet e papranueshme të MPB të Maqedonisë së Veriut si dhe për propagandën që po zhvillohet kundër Republikës së Kosovës në disa media të Maqedonisë së Veriut sa i përket incidentit të paprecedentë kundër Presidentes Osmani dje në aeroportin ndërkombëtar të Shkupit”, thuhet në komunikatë.

Të njëjtit kanë sqaruar se edhe me rekomandime të institucioneve të sigurisë veprimi i presidentes ka qenë i duhur.

Ndërsa, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për incidentin në Aeroportin e Shkupit ku ishte e përfshirë presidentja Vjosa Osmani, të enjten.

Në një reagim të së premtes, nga aeroporti i Shkupit, përkatësisht kompania që e ka nën menaxhim, kanë theksuar se janë udhëzuar nga Ministria e Punëve të Brendshme maqedonase që ta kontrollojnë presidenten Osmani.

Në reagim e tyre, ata edhe e mohuan që kanë tentuar t’ia marrin telefonin presidentes Osmani.

“Ne i hedhim poshtë kategorikisht akuzat se punonjësi ynë nga departamenti i sigurisë ka tentuar të marrë telefonin. Telefoni i është kërkuar për t’iu nënshtruar kontrollit (skriningut) të detyrueshëm të sigurisë përmes aparatit me rëntgen”, thanë nga aeroporti i Shkupit.

Ndërsa, koalicioni “VLEN”, përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nëpërmjet një komunikate për media kanë potencuar se Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka kompetencë mbi sigurinë e aeroportit.

Kjo ngjarje është cilësuar si një skandal diplomatik, derisa ka pasur reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni të Veriut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore