Taravari: Ahmeti s’është mësuar të jetë në opozitë, do mësohet – është burrë i urtë e i mençur

SHFLETO

Arben Taravari

 

Dini Fetahu
31.05.2024 11:14
Loading Icons...

Arben Taravari, njëri nga liderët e koalicionit “VLEN”, ka thënë se Ali Ahmeti, lideri i “Frontit Evropian”, nuk është mësuar në opozitë, por, sipas tij, do të mësohet, pasi që “është burrë i mençur dhe i urtë, por i duhet pak kohë”.

Këto komente, Taravari i ka bërë në një kohë kur “VLEN”, si humbës i zgjedhjeve në taborin shqiptar, është duke i zhvilluar – dhe gati janë finalizuar – negociatat me partinë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, për të formuar qeverinë e re në Maqedoninë e Veriut, pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit.

“Unë e kuptoj Ahmetin, nuk është mësuar të jetë në opozitë. Por, dal ngadalë do të mësohet se unë mendoj se është burrë i mençur, burrë i urtë kështu që i duhet pak kohë. Në psikologji ekziston periudhë emocionesh dhe afekti, besoj se do të stabilizohet dhe do ta merr ashtu si duhet punën e opozitës”, tha Taravari.

Në vlerësimin e Kryetarit të Gostivarit, për çdo parti është e mirë që të jetë një periudhë në opozitë, “është e shëndetshme”.

“Besoj se këto katër vite, në BDI do të ndodhin reforma të mirëfillta dhe një gjeneratë e re e politikanëve të BDI-së do ta bëjnë një BDI tamam opozitare dhe ashtu si i ngjanë”, potencoi ai.

Koalicioni VMRO-VLEN s’është parimor, “Fronti Evropian do të organizojë protesta”

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare në Maqedoni të Veriut, sa i përket kampit shqiptar, fitues me mbi 30 mijë vota doli “Fronti Evropian”, i cili numëron 18 deputetë, apo 4 më shumë seç fitoi koalicioni i partive opozitare shqiptare “VLEN”, të cilët morën 14 ulëse në kuvend.

Ndërsa, te kampi maqedonas, fitues absolut është partia nacionaliste VMRO-DPMNE, e cila siguroi plotë 58 ulëse në parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga 120 sa i ka gjithsejtë, derisa LSDM-ja, partia që deri më tani kishte pushtetin mori vetëm 18 deputetë – rezultatin më të dobët në histori të saj.

Ulëse në kuvendin maqedonas kanë fituar edhe dy parti të tjera maqedonase. Nga 5 sosh i kanë marrë e majta ekstrem “Levica”, dhe Lëvizja “ZNAM”.

Përkundër se në kampin fitues është “Fronti Evropian”, VMRO-DPMNE-ja, si fituese në taborin maqedonas është duke e anashkaluar parimin e fituesit me fituesin (te shqiptarët dhe maqedonasit), duke bërë kështu koalicion me “VLEN”-in.