Lajme

Tanzania njofton shpërthimin e sëmundjes vdekjeprurëse të virusit Marburg


Tanzania ka njoftuar shpërthimin e parë të sëmundjes vdekjeprurëse të virusit Marburg (MVD), pasi pesë vdekje dhe tre raste të tjera u raportuan në një spital në rajonin veriperëndimor Kagera të vendit.

Përmes gjurmimit të kontaktit, rreth 161 persona janë identifikuar si në rrezik infeksioni, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Sakaq, qeveria ka vendosur një ekip të reagimit emergjent në zonë dhe vendet fqinje kanë rritur mbikëqyrjen. Asnjë rast nuk është raportuar ende jashtë Kagera.

“Përpjekjet e autoriteteve shëndetësore të Tanzanisë për të përcaktuar shkakun e sëmundjes janë një tregues i qartë i vendosmërisë për t’iu përgjigjur efektivisht shpërthimit”, ka thënë Matshidiso Moeti, drejtori rajonal i OBSH-së për Afrikën.

“Ne po punojmë me qeverinë për të rritur me shpejtësi masat e kontrollit për të ndaluar përhapjen e virusit dhe për t’i dhënë fund shpërthimit sa më shpejt të jetë e mundur”, ka vijuar ai.

Ndërkohë, pacientët që shfaqnin simptoma të sëmundjes u zbuluan për herë të parë javën e kaluar në dy fshatra Kagera, sipas një memorandumi shëndetësor nga ministrja e Shëndetësisë e Tanzanisë Ummy Mwalimu.

MVD u zbulua për herë të parë në vitin 1967 në Marburg dhe Frankfurt në Gjermani dhe Beograd, Serbi.

Është nga e njëjta familje virusesh si Ebola dhe shkakton një ethe të rëndë hemorragjike, ndërsa përqindjet e vdekshmërisë kanë variuar nga 24 për qind në 88 për qind.

Ka pasur disa shpërthime që nga zbulimi i saj, ku më e keqja ishte Angola në vitet 2004-2005, ku kishte 252 raste dhe 227 vdekje.

Virusi fillimisht transmetohet te njerëzit nga lakuriqët e natës së frutave, dhe më pas nga personi në person përmes lëngjeve të trupit ose objekteve të kontaminuara.

Anëtarët e familjes dhe punonjësit e shëndetësisë janë veçanërisht të prekshëm ndaj infeksionit.

Simptomat e sëmundjes mund të variojnë nga ethet, të përzierat dhe skuqjet në fillim, deri te verdhëza dhe humbja e rëndë e peshës teksa sëmundja përparon. Ka një periudhë inkubacioni deri në 21 ditë.

Nuk ka vaksina apo trajtime për virusin, por sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, zbutja e simptomave nëpërmjet rihidrimit ose menaxhimit të niveleve të gjakut dhe oksigjenit të pacientit, mund të rrisë shanset për mbijetesë.

Qendrat e Afrikës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) po mbështesin gjithashtu përpjekjet për të frenuar shpërthimin.

Tanzania po lufton me virusin për herë të parë, vetëm një muaj pasi Guinea Ekuatoriale konfirmoi rastin e saj të parë.

Ministria e Shëndetësisë e Tanzanisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin masa paraprake të përgjithshme dhe të ndjekin direktivat shëndetësore derisa situata të vihet nën kontroll.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore