Lajme

Talibanët vrasin liderin e IS-it që qëndronte pas bombardimeve në aeroportin e Kabul-it


Organizatori i grupit Shteti Islamik (IS) që mendohej se kishte planifikuar bombardimin shkatërrues të vitit 2021 në aeroportin e Kabulit është vrarë nga talibanët në pushtet në Afganistan, thonë zyrtarët amerikanë.

Lajmi u bë i ditur nga multimediali britanik “BBC”.

Kujtojmë që bombardimi në gusht vrau 170 civilë dhe 13 ushtarë amerikanë.

Asokohe, njerëzit po përpiqeshin të largoheshin nga vendi pasi talibanët morën kontrollin.

Figura e IS-it u vra javë më parë, por u desh kohë për të konfirmuar vdekjen e tij, thanë zyrtarët amerikanë për partnerin e lajmeve të BBC-së, CBS News.

Emri i tij nuk është bërë i ditur.

Zyrtarët amerikanë thanë se kishin përcaktuar përmes mbledhjes së inteligjencës dhe monitorimit të rajonit se lideri kishte vdekur.

Kjo, megjithëse nuk dhanë detaje të mëtejshme se si kishin mësuar se ai ishte përgjegjës për bombardimin.

“Ekspertët në qeveri kanë besim të madh se ky individ… ishte me të vërtetë personi kryesor përgjegjës”, tha një zyrtar i lartë amerikan për CBS.

Sipas një raporti të “The New York Times”, autoritetet amerikane mësuan për vdekjen e liderit në fillim të prillit.

Është e paqartë nëse ai ishte në shënjestër të talebanëve apo nëse ai u vra gjatë luftimeve të vazhdueshme midis IS-it dhe talebanëve, raportoi gazeta.

Çfarë ndodhi

Shpërthimi erdhi disa orë pasi qeveritë perëndimore paralajmëruan qytetarët e tyre që të qëndronin larg Aeroportit Ndërkombëtar të Kabulit.

Kjo, për shkak të një kërcënimi të menjëhershëm të një sulmi nga IS-K, dega në Afganistan e grupit të Shtetit Islamik.

Ndodhi rreth orës 18:00 me orën lokale më 26 gusht 2021 në Portën e Abbey për në aeroport, kur një kamikaz hyri në mes të familjeve që prisnin jashtë portës.

Turma të mëdha ishin mbledhur në zonë, duke shpresuar se do të pranoheshin në një fluturim evakuimi ndërsa trupat amerikane tërhiqeshin nga Afganistani.

Mes viktimave ishin dy shtetas britanikë dhe fëmija i një shtetasi britanik, tha qeveria e Mbretërisë së Bashkuar në atë kohë.

SHBA-të kryen një sulm me dron në Kabul ditë më vonë, duke thënë se kishte shënjestruar një kamikaz, vetëm për të pranuar se raketa kishte vrarë 10 civilë, përfshirë shtatë fëmijë.

Ata më vonë ofruan një shpërblim prej 10 milionë dollarësh për këdo që kishte informacion që çonte në arrestimin ose dënimin në çdo vend të atyre që janë përgjegjës për sulmin, ose për kapjen e udhëheqësit të ISIS-K, Sanaullah Ghafari.

Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani në gusht 2021 shënoi fundin e luftës më të gjatë të Amerikës.

Ajo çoi në rënien e qeverisë dhe ushtrisë afgane, të cilën qeveria amerikane e kishte mbështetur për dy dekada.

Kjo çoi gjithashtu në kthimin e pushtetit tek talebanët.

Administrata e Biden u kritikua si brenda ashtu edhe jashtë vendit për tërheqjen e tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore