Shqipëria

Taksa e pasurisë do të vendoset mbi të gjitha banesat, thotë drafti


Këshilli i Ministrave ka nxjerrë për konsultim publik (mendim) një draft që bën të detyrueshëm pagesën për taksën e pasurisë, e cila do të vendoset mbi të gjitha banesat.

Projektligji për taksën e pasurisë parashikon që taksa të vendoset mbi të gjithë pasuritë e paluajtshme, të cilat ndodhen në Shqipëri, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të tyre.

Në nenin 8 të këtij projektligji është parashikuar që për banesën e parë, pra banesa ku rezidenti jeton, të ketë zbritje të barabartë me 50 për qind të vlerës së vlerësuar të banesës së parë.

Në shtojcën numër 1 është paracaktuar dhe vlera e pragut maksimal e cila ndahet në katër kategori.

Kategoria I në Tiranë, pragu është jo më shumë se 4.5 milionë lekë.

Kategoria II janë bashkitë si Berat, Dibër, Bulqizë, Divjakë, Durrës, Elbasan, Fier, Gramsh, Gjirokastër, Himarë, Kamzë,  Kavajë, Korçë, Krujë, Kukës, Kurbin, Lezhë, Librazhd, Lushnjë, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Përrenjas, Pogradec, Rrogozhinë, Sarandë, Shijak, Shkodër, Vlorë vlera e pragut maksimal është jo më shumë se 3 milionë.

Kategoria III janë bashkitë si Belsh, Cërrik, Delvinë, Devoll, Dimal, Dropull, Finiq, Has, Këlcyrë, Klos, Kolonjë, Konispol, Kuçovë, Libohovë, Maliq, Mallakastër, Patos, Peqin, Përmet, Poliçan, Pukë, Pustec, Roskovec, Selenicë, Skrapar, Tepelenë, Tropojë, Vau i Dejës, ku pragu maksimal është jo më shumë 1 milion e 500 mijë lekë.

Kategoria IV janë bashkitë si Fushë Arrëz, Memaliaj ku pragu maksimal është jo më shumë se 750 mijë lekë.

Bashkëpronësia në banesën e parë

Bashkëpronari ose bashkë-poseduesi i një njësie ndërtese që shërben si banesë e parë, ka të drejtën e zbritjes për banesën e parë, në proporcion me pjesën e tij të caktuar.

Individi i cili ka në pronësi apo posedim, dy ose më shumë njësi rezidenciale, ka të drejtën e zbritjes për banesën e parë.

Kjo, për vetëm një prej këtyre njësive të ndërtesave, pa marrë parasysh faktin që njësitë e ndërtesave mund të ndodhen në bashki të ndryshme.

Po kështu në nenin 4 parashikohet që Këshilli Bashkiak mund të rrisë deri në 20 për qind, përmes një vendimi të arsyetuar, pragun maksimal të zbritjes së përcaktuar në shtojcën 1 të këtij ligji.

Taksa e pronës është e detyrueshme dhe nëse nuk paguhet ligji parashikon gjoba dhe kamat-vonesa.

Në nenin 23 të këtij projektligji shkruhet se bashkia ka autoritetin dhe kompetencën për të mbledhur me forcë detyrimet e papaguara tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi për procedurat tatimore.

Po kështu nëse taksapaguesi nuk paguan detyrimet tatimore do të ketë dhe sanksione deri në pezullim të ofrimit të shërbimeve të caktuara nga bashkia të cilat do të përcaktohen me vendim të Këshillit  Bashkiak.

Taksapaguesi i cili nuk paguan taksën e pasurisë deri në ditën e fundit për pagesë, i vendoset gjobë në një shumë të barabartë me 10 për qind të taksës së papaguar.

Po kështu me detyrim për poseduesin ose pronari është vetë-deklarimi, për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme që ai ka në posedim ose pronësi në Kadastrën Fiskale.

Taksa e pronës për ndërtesat hyn në fuqi në vitin 2026. Taksa e pronës për tokën bujqësore dhe truallin hyn në fuqi në vitin 2028.

Taksa e pronës për apartamentin e dytë, apo më shumë do të jetë deri dyfish më e lartë se e apartamentit të parë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore