Takimi Kurti – Vuçiç, Maliqi: Fitues do të dalë secili veç e veç 

SHFLETO

Agon Maliqi

 

Dreni Himbeqa
26.06.2024 13:31
Loading Icons...

Nga takimi i 10-të i radhës në mes të Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it, nën ndërmjetësimin e Josep Borrell e Miroslav Lajçak, fitues do të dalë secili veç e veç, vlerëson analisti politik, Agon Maliqi.

Të mërkurën e 26 qershorit kryeministri i Kosovës e presidenti i Serbisë, do të ulen sërish në tryezën e bisedimeve, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nëntë muaj pas takimit të tyre të fundit.

Në vlerësimin e Maliqit, ky takim nuk do të prodhojë asgjë substanciale, përveç fitore të vogle për secilin palë.

“Brukseli e ka mundësinë të duket sikur ka proces dialogu, edhe pse ai ka dështuar. Liderëve u jepet mundësia të shiten konstruktivë në arenën ndërkombëtare dhe t’i shesin përralla patriotike publikut në shtëpi. Dialogu i pafund është ushqyesi kryesor i autokracive”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook.

Borrell, do t’i presë të mërkurën për një raund të ri të negociatave Albin Kurtin dhe Vuçiç-in, në përpjekje për të çuar përpara procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Megjithatë, zyrtarët e BE-së bënë disa ndryshime në agjendën e takimeve – përderisa në njoftimin e së martës nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) thuhej se takimet do të fillonin në orën 15:00 pasdite, në bazë të njoftimit të ri, bisedimet politike rreth dialogut do të nisin nga ora 16:30.

Borrelli, i cili është në fund të mandatit pesëvjeçar, por edhe emisari i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, do të zhvillojnë takime të ndara me të dy liderët nga ora 16:30, pasuar nga një takim i përbashkët trepalësh, që pritet të nisë në orën 18:00. Do të ketë deklarata për shtyp para dhe në fund të takimeve.