Lajme

Takimi “jo normal” që nuk prodhoi marrëveshje


Josep Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, ka folur pas takimit me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, takim për të cilin ka thënë se nuk ishte aspak i lehtë, madje, “s’ishte takim normal”.

“Më falni që ju lash të prisni, por këto takime e dimë kur fillojnë e asnjëherë se kur kryhen”, deklaroi Borell.

“Ky ishte takimi i tretë i profilit të lartë në Dialog ku po kërkojmë normalizim të raporteve”.

“Takimi i sotëm nuk ishte takim normal. Nuk ishte takim i rregullt”, shtoi Borell.

“Së bashku me Lajçak-un të cilin e falënderoj shumë, e thirrëm këtë takim, sepse po ballafaqohemi me zhvillime negative në terren dhe tension në Kosovë”.

“Ky takim ishte për përgjegjësinë e të dy liderëve që të kërkojmë zgjidhje”.

S’ka marrëveshje, as dorëzim

Josep Borell ka kumtuar se një dakordim nuk u arrit, përkundër insistimit të tij.

“Fatkeqësisht nuk kemi arritur asnjë marrëveshje sot”, por ai ka shtuar se “nuk dorëzohem” dhe se ky takim “nuk është fundi”.

“Dy liderët u dakorduan për të vazhduar diskutimet, dhe bisedimet do të vazhdojë në ditët në vijim”.

Shefi i diplomacisë evropiane, ka thënë se ka ende kohë deri më 1 shtator, në ditën kur rinis implementimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës, për konvertimin e targave dhe reciprocitetit me kartat e identitet”.

Megjithatë spanjolli është treguar i prerë në rast se situata tensionohet përsëri në Veri.

“Dua të ju them se nëse situata në terren përkeqësohet përsëri, atëherë fajtorë janë të dyja palët”.

Ai ka përsëritur faktin se takimi në fjalë nuk ka qenë një takim i zakonshëm në kuadër të dialogut, por një takim për “menaxhim të krizës”.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjinden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme. U thash të dy liderëve se ky ishte një takim për menaxhimin e krizës, jo një takim i zakonshëm dhe se qëllimi ishte të uleshin tensionet në terren”, ka shtuar ai.

5 orë negociata 0 rezultate

Në Bruksel, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, gjatë ditës së enjte të 18 gushtit, janë takuar në dy raunde të ndara nën ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian.

Paraprakisht, pas rundit të parë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, kanë biseduar ndaras me Kurtin dhe Vuçiç-in.

Ndryshe raundi i parë kishte filluar me sesionin e fotografimit, ku dy liderët shtetëror, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç ishin fotografuar veç e veç me Josep Borrell, ku më pastaj ishin futur në sallën e takimit ku Kurti dhe Vuçiç ishin ballafaquar kokë më kokë.

Megjithatë ajo çka rra në sy në gjithë këtë maratonë bisedimesh ishte qasja jo-korrekte e ndërmjetësuesit të BE-së, Josep Borrell.

Qasja e Josep Borell brenda takimit mund të jetë krejtësisht e njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, por e tillë nuk ishte në pozimin para kamerave kur u pa një herë me Albin Kurtin e pastaj me Aleksandër Vuçiç-in.

Borell kishte tjetër qasje në pritje të Kurtit e krejt tjetër fare kur priti Vuçiç-in.

Borrell, përveç se nuk ja ka zgjatur dorën Kurtit në fillim të takimit, siç bëri me Vuçiç-in paraprakisht, ka qenë mjaftë indiferent me qasjen ndaj të parit të ekzekutivit.

Gjersa fotoreporterët po mundoheshin të kapnin pozën e duhur, Borrell me ironi ka pyetur për takimin që Albin Kurti ka pasur me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, një ditë para takimit trelateral në Bruksel.

“Keni takuar dje sekretarin gjeneral te NATO-s?”, ka pyetur Borrell.

“Po”, i është përgjigjur Kurti, duke shtuar se “takim ka shkuar shumë mirë”.

“Janë gati të dërgojnë më shumë trupa më thanë?”, ka pyetur Borrell – Kurtit, duke dashur të konfirmojë nga dora e parë se a janë të vërteta raportimet e gazetave, se dje në takim Stoltenberg ka premtuar shtimin e trupave të KFOR-it nëse situata e sigurisë në Veri kërkon një gjë të tillë.

“Po, nëse është e nevojshme”, ja ka kthyer Kurti i buzëqeshur.

Në fund të bisedës disa sekondëshe gjersa dy liderët po fotografoheshin, Borrell disi i ftohtë ja ka zgjatur dorën Kurtit duke ja bërë të ditur se shtimi i numrit të trupave të KFOR-it nuk do të jetë i nevojshëm.

“Shpresoj edhe unë, gjithashtu”, ka shtuar Kurti.

Vuçiç i pari që u largua nga salla e bisedimeve, por jo edhe nga Brukseli

I pari që u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave ishte, Aleksandër Vuçiç.

Ndërsa vartësi i tij, Petar Petkoviç, ka njoftuar publikun në Serbi, se Aleksandër Vuçiç, presidenti i Serbisë nuk do të kthehet nga Bukseli deri nesër, e premte.

Duke folur para gazetarëve, ai pohoi se as Vuçiç e as dikush tjetër nga delegacioni i Serbisë nuk do të flas gjatë ditës.

Ai shtoi se brenda takimit me kryeministrin e Kosvoës, Albin Kurti, Vuçiç “luftoi për paqen”.

Se çfarë ka ndodhur në takim, Petkoviç tha se do të kuptohet të premten nga Vuçiç, pasi pasdite ose në mbrëmje do të mbajë fjalim dhe “do të jetë një nga fjalimet më të rëndësishme për publikun”.

Petar Petkoviç

Ndryshe gjatë ditës ndërsa takimi Kurti-Vuçiç po vazhdonte mediaa serbe “Kurir” raportoi se Vuçiç, ka kërkuar një takim urgjent me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Takimi u raportua se do të mbahet në Pallatin “Serbia” në Beograd.

Në takim janë të ftuar të gjithë përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të serbëve të Kosovës, liderët e Listës Serbe, të gjithë kryetarët serbë, kryetarët e distrikteve dhe drejtorët e spitaleve.

“Nëse kjo është një shenjë se gjërat kanë shkuar keq në Bruksel, do ta kuptojmë së shpejti”, përfundon shkrimin Kurir.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore