Lajme

Takimi i G20 në Indi për të trajtuar krizën e borxhit


Ministrat e Financave dhe drejtuesit e bankave qendrore nga G20 do të takohen në Indi të hënën për dy ditë bisedimesh.

Këto të fundit, synojnë mbështetjen e një ekonomie globale të lëkundur, ristrukturimin e borxhit dhe marrëveshjet më të drejta të taksave ndërkombëtare.

Nën kryesimin e Ministres Indiane të Financave, Nirmala Sitharaman, diskutimet që do të zhvillohen në Gandhinagar, në shtetin e Gujarat (perëndim) do të fokusohen veçanërisht në shëndetin e ekonomisë botërore, “financat dhe infrastrukturën e qëndrueshme”.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Përpjekjet për të trajtuar borxhin e tepërt do të jenë kryesore në axhendë, pasi vendet më të varfra në botë mbajnë peshën kryesore të krizës globale të borxhit, në një kohë kur ato kanë nevojë për para më shumë se kurrë për të luftuar ndryshimin e klimës.

Megjithatë, Kina, ekonomia e dytë më e madhe në botë dhe mbështetësi kryesor financiar i disa vendeve aziatike dhe afrikane në vështirësi, me të ardhura të ulëta, deri më tani ka rezistuar ndaj mbajtjes së një qëndrimi për këtë çështje, thanë zyrtarët.

Sekretarja e Thesarit në SHBA, Janet Yellen, duke folur në margjinat e bisedimeve të G20 të së dielës nga Gandhinagar, përmendi përparimin në ristrukturimin e borxhit të Zambia-s, për të cilin ajo diskutoi gjatë vizitës së saj në Pekin më herët gjatë muajit.

Janet Yellen theksoi se marrëveshja me Zambia-n kishte marrë “shumë kohë për të negociuar” dhe shtoi se ajo shpresonte se trajtimi i borxhit për Ganën dhe Sri Lankën mund të “finalizohej shpejt”.

“Ne duhet të zbatojmë parimet e përbashkëta që kemi miratuar në Zambia në rastet e tjera, në vend që të fillojmë nga e para çdo herë”, tha Janet Yellen. “Dhe ne duhet të ecim më shpejt. Më shumë se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta janë afër ose në vështirësi borxhi, dy herë më shumë se në vitin 2015”.

Sipas një zyrtari të lartë nga India, i cili kryeson G20, Pekini nuk ka reaguar në një mënyrë shumë inkurajuese për çështjen e të kuptuarit të borxhit të përbashkët.

Disa ekonomi në vështirësi pas goditjeve të dyfishta të pandemisë së Coronavirus-it dhe pasojave të luftës së Rusisë në Ukrainë (e cila po ndikon në çmimet globale të karburantit dhe mallrave) po “arrijnë një pikë thyerjeje”, shtoi zyrtari.

Pekini është një kreditor i madh në disa nga këto raste dhe është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj ristrukturimit të borxhit të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore