Lajme

Tajlanda miraton uljen e taksave për automjetet elektrike


Në Tajlandë, kabineti ka miratuar stimuj tatimorë për të promovuar një zhvendosje te automjetet elektrike dhe për të tërhequr të huajt “me potencial të madh” për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë.

Kështu ka bërë me dije ministri vendas i Financave.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se masat e taksës së automjeteve përfshijnë uljen e taksës së importit këtë vit dhe vitin e ardhshëm deri në 40 për qind për makinat elektrike me çmim deri në 61 mijë e 805 dollarë.

Po ashtu do të jetë edhe një ulje tjetër prej 20 për qind për makinat elektrike me çmim më të lartë.

Sakaq, qeveria do të ulë akcizën për automjetet elektrike të importuara në dy për qind nga tetë për qind.

Sipas ministrit Arkhom Termpittayapaisith, ulja pritet të shtojë shtatë mijë makina elektrike që në vitin e parë.

Përpos këtyre është miratuar edhe ulja e shkallës së tatimit mbi të ardhurat nga 35 për qind në 17 për qind për profesionistët e huaj të aftë në industritë e synuara ose zonat ekonomike.

Lëvizja është produkt i planit të shpallur më parë për të tërhequr një milion të huaj të pasur, përfshirë pensionistët.

Kurse skema e makinave elektrike për vitet 2022-2025 u miratua javën e kaluar si pjesë e një politike të automjeteve me emetim zero.

Por dhe si pjesë e një objektiv për të siguruar që 30 për qind e prodhimit total të automjeteve në Tajlandë të jenë elektrike deri në vitin 2030.

Prodhuesit e kualifikuar të makinave do të marrin gjithashtu subvencione për çdo makinë elektrike të prodhuar.

“Kjo është për të inkurajuar investimet dhe punësimin. Është e nevojshme, përndryshe nuk do të jemi në gjendje të mbajmë ritmin pasi prodhuesit e makinave dhe të tjerët do të na i kalojnë”, ka treguar Arkhom.

Tajlanda është një prodhues i madh rajonal i automjeteve dhe zakonisht prodhon afro dy milionë automjete të rregullta në vit për firma që përfshijnë Toyota-n, Honda-n dhe Mitsubishi-n.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore