Kosova

Tajani: Jemi duke punuar për të ulur tensionin mes Kosovës dhe Serbisë


Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani.

Zëvendëskryeministri i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se janë duke u angazhuar për të ulur tensionet mes dy vendeve.

Përmes një cicërime në rrjetin social ‘Twitter’, Tajani konsideron se do të jenë protagonistë të paqes.

“Po punojmë për të ulur tensionin mes dy vendeve, edhe falë pranisë së kontingjentit tonë ushtarak. Italia gjithashtu dëshiron të jetë protagoniste e paqes në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ai.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani dhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto të martën e 22 nëntorit do të jenë për vizitë në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mesnatën e së martës ka vendosur që të shtyjë vendimin për targat për 48 orë.

Kërkesa për shtyrje erdhi nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, përmes një njoftimi në Twitter.

Kurti, e ka falënderuar ambasadorin për “përkushtimin dhe angazhimin”, derisa ka shtuar se “e pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh të gjobave për targat ilegale ‘KM’ dhe të tjera”.

“Jam i lumtur të punoj me SHBA-të dhe BE-në në gjetjen e një zgjidhje gjatë këtyre dy ditëve”.

Ambasadori në deklarimin në njoftimin e tij shkroi se “SHBA-të janë të shqetësuara që liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk mundën që të arrijnë marrëveshje sot për krizën aktuale në Kosovë”.

“Ne kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë që t’i mundësojnë BE-së dhe SHBA-ve gjetjen e një zgjidhje”, thuhet në deklaratën e Hovenier.

Thirrja për shtyrje e ambasadorit vjen pas takimeve të shumtë e të gjatë në Bruksel, në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesve të Brukselit, Josep Borell e Miroslav Lajcak.

Nga këto takime nuk u dol me një zgjidhje.

Siç u kuptua më vonë. BE-ja ka vendosur një propozim ku Kosovës i kërkon të shtyjë vendimin për gjobat e veturave me targa ilegale, ndërsa Serbisë që të ndalojë emetimin e atyre targave.

Vuçiç është pajtuar me propozimin.

Me propozimin për shtyrje është pajtuar edhe Kurti, por ka kërkuar që pjesë e kësaj marrëveshje të jetë caktimi i afatit për arritjen e një marrëveshje të përgjithshme për normalizim.

Ky ka qenë kushti i Kurtit që të pranojë vendimin, kjo është refuzuar dhe më pas palët kanë mbetur pa marrëveshje.

Vendimi për gjobat, siç ishte njoftuar, pritej të fillonte nga ora 8:00 e së martës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore