Lajme

Tajani: 11 ushtarë italianë u lënduan në Veri, tre prej tyre janë në gjendje të rëndë


Antonio Tajani

Ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Antonio Tajani, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve serbë kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan, ku edhe ka bërë të ditur se 11 ushtarë të KFOR-it italianë janë lënduar, 3 prej tyre në gjendje të rëndë.

Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, ai tha se “dua të shpreh solidaritetin tim me ushtarët e misionit të KFOR-it të cilët u plagosën në Kosovë gjatë përleshjeve ndërmjet demonstruesve serbë dhe policisë kosovare”.

“Mes tyre 11 italianë, 3 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë, por jashtë rrezikut për jetën”, shkroi ai në Twitter.

Ndërkaq, kryediplomati italian theksoi se “ushtria vazhdon të punojë për paqen”.

 

Ndryshe, misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan, pasi paraprakisht i paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

Siç bëhet e ditur, 41 pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar nga protestuesit serbë në Zveçan, derisa po ndalonin turmën të futej në zyrat e objektit komunal.

Nga pamjet që vijnë nga Zveçani shihet një numër i ushtarëve të shtrirë në tokë, pas lëndimeve të marra.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka dënuar sulmet e dhunshme të protestuesve kundrejt forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Zveçan.

41 ushtarë të KFOR-it të plagosur – është përdorur edhe eksploziv

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore