Lajme

Taivan: 36 të vdekur, treni del nga binarët


Të paktën 36 persona kanë mbetur të vdekur dhe rreth 70 të tjerë janë ende të bllokuar, pas daljes nga binarët të një treni në Taivan.

Kjo ngjarje shënjon katastrofën më të madhe hekurudhore në historinë e ishullit aziatik.

Mendohet se treni ka goditur një kamion dhe për këtë arsye ka dalë nga shinat duke rezultuar në tragjedi.

Mjeti, i cili po udhëtonte nga Taipei në Taitung, raportohet se transportonte turistë dhe punëtorë. Ngjarja ndodhi në Hualien, në pjesën lindore të Taivanit.

Rreth 350 ishte numri tërësor i pasagjerëve. Nga këta pjesa më e madhe janë shpëtuar. Mbeten gjithsesi rreth 70, të cilët kanë mbetur nën rrënoja. Gjendja e tyre ende nuk është bërë e ditur.

Forcat zjarrfikëse raportohet se janë në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e pasagjerëve nga aty.

Në dy nga vagonët, situata është më e vështirë pasi janë deformuar.

Sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve, një kamion i parkuar në mënyrë të gabuar ka qenë shkaku. Ai ka rrëshqitur drejt binarëve duke goditur trenin me pasagjerë.

“Treni ynë goditi një kamion. Ai po rrëshqiste drejt nesh”, ka thënë një nga pasagjerët për gazetarët.

Nga pamjet e para bien në sy pasagjerët e evakuuar, disa prej të cilëve me dëmtime të rënda.

Linja hekurudhore në Taivan është mjaft e re dhe moderne. Aksidente të tilla janë të pazakontë për vendin aziatik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore