Kosova

Tahiri: Serbia do nxitë situata për agjendën e saj, Kosova të ketë kujdes


Edita Tahiri

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë, Edita Tahiri, ka thënë se Beogradi do të nxitë situata për agjendën e tij që, sipas saj, është “bota serbe”, por ka kërkuar nga Kosova që të jetë e kujdesshme dhe të mos lejojë këso skenarësh.

Këto komente, Tahiri i ka bërë përmes një postimi në Facebook, të martën.

“Serbia po punon për ‘botën serbe’ e nxitur nga Rusia, duke dominuar dhe kontrolluar pakicën serbe në gjithë Ballkanin, por Kosova duhet të jetë syçelë dhe e kujdesshme”, shkroi Tahiri.

Sepse, siç potencon ajo, me shkas apo pa shkas, Serbia do te nxit situata qe i duhen për agjendën e saj, “siç po luan me pakicën serbe në Veri, por nënvizon se Kosova duhet të di “të mos lejojë skenarët që çojnë në projektin hegjemon të ‘botës serbe’”.

Edhe një pjesë e shoqërisë civile, por edhe njohës ndërkombëtarë të zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, kanë bërë thirrje që Kosova të ketë kujdes në raport me planet e Serbisë.

Agon Maliqi, analist politik e aktivist i shoqërisë civile, në një artikull autorial të botuar në platformën “Sbunker” të hënën, tha se “gracka e re” në të cilën Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, synon ta fusë Kosovën është që të krijohet preteksti për eksodin e serbëve nga pjesa Veriore e vendit.

Maliqi ka theksuar se Serbia e di që Kosova është e humbur, prandaj skenari i eksodit të serbëve, ashtu sikurse kanë paralajmëruar dy figura të njohura publike nga Serbia – Sonja Biserko dhe Nenad Çanak – nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh logjikën operative të nacionalizmit serb.

“Në këtë kontekst, skenari i eksodit të serbëve është skenari ideal i cili do ta ngujonte Vuçiçin në pozitën e viktimizimit nacionalist dhe do t’ia ofronte pretekstin e përkyer në marrëdhëniet me Perëndimin, për të refuzuar çfarëdo diskutimi për njohjen apo edhe zhbllokimin ndërkombëtar të Kosovës – qoftë edhe me njohje de facto – të cilin e siguronte plani franko-gjerman”.

“Gracka e Vuçiçit” | Maliqi: Qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj veriut mund të kontribuojë në skenarin e eksodit të serbëve

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore