Kosova

Tahiri për marrëveshjen e targave: Kurti lëshoi pe, s’duhet bërë marrëveshje pa njohje reciproke


Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri,

Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun Kosovë-Serbi, Edita Tahiri, konsideron se me arritjen e marrëveshjes për targa, kryeministri Albin Kurti, ka lëshuar pe.

Sipas Tahirit, me këtë marrëveshje nuk ka afat të caktuar, se për sa kohë në Kosovë do të qarkullojnë veturat me targa ilegale.

“Marrëveshja për targa u arrit, Kurti lëshoi pe, tash nuk dihet edhe sa kohë do te qarkullojnë targat ilegale në veri të vendit, meqë nuk ka afat marrëveshja. Sikur te dëgjoheshin amerikanët afati do të ishte 10 muaj”, ka shkruar ajo në Facebook.

Ndërsa ka theksuar se nuk dihet nëse kryeministri ka bërë edhe kompromise të tjera.

“Prapë nuk u bë publike marrëveshja, nuk e dimë edhe çfarë kompromisesh tjera ka bërë Kurti, si në të kaluarën. Por një gjë e dimë, Kurti e as Qeveria e tij nuk guxon të bëjë marrëveshje pa njohje reciproke me Serbinë. Nëse lëshon pe përballë do ta gjejë popullin e Kosovës, të cilin e njoh mirë sepse është popull shembullor që di të mbrojë interesat kombëtare”.

Pas rreth gjashtë orësh bisedime në Bruksel, Kosova u pajtua që të heqë dorë nga masa e gjobës për targat ilegale dhe kështu është nënshkruar marrëveshje për de-eskalim në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Besnik Bislmi, Petar Petkoviç dhe Miroslav Lajçak

Paraprakisht, edhe Serbia ishte pajtuar që të mos lëshojë targa të reja me inicialet “KM” e të ngjashme.

“Kemi marrëveshje”, shkroi krye-diplomati evropian, Josep Borrell në Twitter, kur njoftoi arritjen e pajtimit.

“Shumë i kënaqur të njoftoi se krye-negociatorët e Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së kanë arritur marrëveshje për masat që shmangin eskalimin e mëtejshëm dhe do të koncentrohen krejtësisht në propozimin për normalizim raportesh”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës kishte filluar zbatimin e shkallëzuar të vendimit për targat më 1 nëntor – që përfshinin qortime, gjoba, tabela provuese dhe më në fund konfiskime – duke shkaktuar protesta dhe dorëheqje masive të policëve, gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve serbë në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore