Lajme

Tahiri: Më së keqi në rajon në mesataren e pagave, rrezikojmë ikje masive të punëtorëve


Besnik Tahiri

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kosova qëndron “më së keqi në rajon në mesataren e pagave”, e si pasojë ai tregon se “rrezikojmë ikje masive të punëtorëve!”.

“Rajoni, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur të marrin masa të shpejta, për t’u përballur me zhvillimet që po prodhohen nga ikja e punëtorëve. Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, po diskutohet për rritjen e pagës mesatare në 900 euro deri në prillin e vitit 2024”, ka shkruar Tahiri në rrjetin social “Facebook”.

Ndërkaq, ai shtoi se “lëvizje të ngjashme kanë manë marrë edhe vendet tjera të rajonit”.

“Në krahasim me vitin 2015, kur Kosova kishte pagën mesatare 444 euro, Maqedonia e Veriut – 504 euro, Serbia – 537 euro, Mali i Zi – 726 euro dhe Shqipëria 259 euro”.

“Aktualisht, paga mesatare në rajon është: Kosova 504 euro, apo rritje prej 60 euro; Maqedonia e Veriut, 705 euro apo rritje prej 201 euro; Serbia – 763 euro, apo 226 euro, Mali i Zi – 792 euro apo 66 euro dhe Shqipëria – 900 euro, apo 641 euro”, elaburoi tutje Tahiri.

Tutje, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, potencoi se përkundër se këto shifra tregojnë që paga në rajon është rritur, “Qeveria e Kosovës dhe Ministri (Hekuran) Murati, përveç koeficientit të përcaktuar 105 euro, nuk ka ndërmarrë asnjë masë”.

“Me urgjencë duhet të shqyrtohet rritja e koeficientit në 129 euro në administratë publike siç kemi propozuar ne si AAK dhe të merren masa të shpejta për pagën minimale sipas amendamentit tonë që e kemi propozuar në Komisionin për Buxhet”.

Po ashtu, Tahiri theksoi se në rast se nuk ndermirën masa, “kur liberalizimi i vizave po ndodhë në një periudhë kur vendet evropiane, në veçanti Gjermania, ka rritur kontingjentin nga Ballkani Perëndimor, rrezikojmë që vitet pasuese të jenë goditje e rëndë për ekonominë tonë, në veçanti për punëtorët”.

“Veproni mos fleni se shkuam poshtë!”, përfundoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore