Tahiri kërkon që Qeveria t’i trajtojë seriozisht kushtëzimet që i janë vënë Kosovës në KiE

SHFLETO

Besnik Tahiri

 

Dreni Himbeqa
25.06.2024 16:00
Loading Icons...

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka vlerësuar se duhet të ndërtohet një momentum i ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ndërsa ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i trajtojë seriozisht kushtëzimet që i janë vënë Kosovës në rrugën e saj drejtë kësaj organizate.

Kosova nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të votohej pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

Arsyeja e mos-trajtimit të çështjes së Kosovës në Komitetin e Ministrave ishte kushti që Franca, Gjermania e Italia artikuluan publikisht, e që Kosova refuzoi ta plotësojë me arsyetimin se kërkesa ishte absurde.

Shtetet më të fuqishme brenda Bashkimit Evropian kërkuan që Kosova të procedojë tutje me Asociacionin – të paktën ta dërgojë draft-statusin e këtij mekanizmi në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.

Për të krijuar këtë momentum të ri për Kosovën në KiE, sipas, Tahirit duhet shumë punë.

“Për ta rikthyer agjendën e integrimit dhe për të shtyrë përpara vendimin e Komitetit të Ministrave, duhet një angazhim shumë i madh. Një momentum i ri i cili do të mundësojë anëtarësimin e Kosovës”, ka thënë Tahiri, i cili po merr pjesë në sesionin veror të Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Tahiri ndër të tjera ka potencuar se Kosova e meriton anëtarësimin në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Sa i përket kushtëzimeve duhet të trajtohen seriozisht nga Qeveria e Kosovës dhe të ketë një veprim të përgjegjshëm në këtë aspekt. Një rrugë jo e lehtë është përpara dhe me plotë sfida, por jam optimist që anëtarësimi do të ndodhë”, ka shtuar ai.