Lajme

Tahiri: Ekonomia e vendit para bankroti, Qeveria askund


Shefi i deputeteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Shefi i deputeteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se në mungesë të dorës së shtetit, ekonomia e Kosovës është para bankrotit.

Kështu është shprehur Tahiri përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Duke parë shqetësimin për ngritjen e çmimeve e të kolapsit ekonomik, në mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit theksova se me mungesë të dorës së shtetit, ekonomia e Kosovës është para bankroti, njëherësh kërkova që në seancën e radhës kur do të debatohet për ngritjen e çmimeve të flasim për masat konkrete që Qeveria duhet t’i ndërmarrë”, ka shkruar Tahiri.

Ai tutje ka rekomanduar ekzekutivin që t’i marrë disa nga masat kryesore.

“Paga minimale të mos kthehet në problem politik, por të jetë një ligj që u mundëson një jetë më të mirë kategorive në sektorin privat dhe veteranëve, suspendimi i akcizës për pesë muaj dhe mbështetja e produkteve bazë”.

“Rimëkëmbja ekonomike që është harruar dhe e cila do të duhej të bëhej me investimet kapitale, e që janë bllokuar rreth 600 kontrata me vlerë qindra miliona euro. Pra, duhet të subvencionohen për 30 % kontratat e nënshkruara”.

Shefi i deputeteve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

Ai ka përmendur edhe ligjin e pagave si dhe trustin pensional.

“Sektori publik, ku është tepër me rëndësi Ligji i Pagave, i cili tashmë është harruar të vjen për miratim”.

“Ndërsa, për Trustin Pensional jemi duke punuar dhe shpresoj që deputetët do të reflektojnë, për shkak se qytetaret po presin që nëpërmjet kursimeve të tyre ta zbusin krizën me të cilën po ballafaqohen”.

Ndër të tjera, Tahiri tha se kanë prezantuar dy amandamente për seancë plenare.

“E para, deri në kategorizim, pensioni i veteranit të jetë i barasvlershëm me pagën minimale; e dyta, kemi kërkuar, që në ligj, paga minimale të jetë 370 euro neto, për shkak se 250 euro nuk është rritje, sot nuk ka pagë nën 250 euro. Kjo nënkupton se Ligji për Pagën Minimale nuk ka efekt”.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) kishte dalë kundër tërheqjes së 10-përqindëshit nga Fondi Pensional i Kursimeve.

Sipas FMN-në, tërheqja e këtyre parave, zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit.

Me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, të nxjerrë në dhjetor 2020 nga Qeveria e Avdullah Hotit, qytetarëve iu ishte mundësuar të tërheqin 10 për qind të kursimeve nga Trusti.

Për katër muaj sa zgjati aplikimi, 427 371 veta tërhoqën mbi 197 milionë euro. Rreth 120 milionë euro prej tyre do të rimbursohen në 5 vitet e ardhshme, për personat që tërhoqën më pak se 1 mijë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore