Aplikacione

Tabloidi gjerman Bild do të zëvendësojë gamën e punëve editoriale me inteligjencën artificiale


Tabloidi gjerman Bild, gazeta më e shitur në Evropë, do të zëvendësojë një sërë punësh editoriale me inteligjencë artificiale.

Kjo lëvizje vjen si pjesë e një programi 100 milionë eurosh për uljen e kostove që pritet të çojë në qindra largime nga puna.

Gazeta “për fat të keq do të ndahet me kolegët që kanë detyra që në botën digjitale kryhen nga inteligjenca artificiale dhe/ose procese të automatizuara”, ka thënë kompania botuese Axel Springer SE, në një email drejtuar stafit.

Referuar njoftimit, rolet e “redaktorëve, stafit të prodhimit të shtypit, nënredaktorëve, korrektuesve dhe redaktorëve të fotografive nuk do të ekzistojnë më si sot”.

Sakaq, mesazhi vjen pas një njoftimi në shkurt nga shefi ekzekutiv, Mathias Döpfner, se botuesi do të ishte një “kompani thjesht digjitale e mediave”.

Mjetet e inteligjencës artificiale si ChatGPT mund ta “bëjnë gazetarinë e pavarur më të mirë se sa ka qenë ndonjëherë – ose ta zëvendësojnë atë”, sipas botuesit.

Po ashtu ka parashikuar se inteligjenca artificiale do të ishte më e mirë në grumbullimin e informacionit sesa gazetarët.

Nga ana tjetër, ka dalluar se vetëm botuesit që mund të krijojnë “përmbajtje më të mirë origjinale” – të tilla si gazetaria investigative dhe komentet origjinale – do të mbijetojnë.

Springer nuk është botuesi i parë i lajmeve që e shikon inteligjencën artificiale si të ardhmen e fushës.

BuzzFeed këtë vit njoftoi se synonte të përdorte inteligjencën artificiale për të përmirësuar përmbajtjen në internet.

Kurse Daily Mirror dhe Daily Express në Mbretërinë e Bashkuar po eksplorojnë gjithashtu përdorimin e inteligjencës artificiale.

Mjetet e inteligjencës artificiale mund të gjenerojnë tekste shumë të sofistikuara nga kërkesat e thjeshta të përdoruesve, duke prodhuar çdo gjë nga esetë dhe aplikimet për punë deri te poezitë dhe veprat e trilluara.

Por përgjigjet ndonjëherë janë të pasakta apo edhe të fabrikuara.

Men’s Journal dhe faqja e teknologjisë Cnet kanë përdorur gjithashtu inteligjencën artificiale për të gjeneruar artikuj të skanuar më vonë për saktësi nga redaktorët njerëzorë.

Megjithatë Cnet ka pranuar në janar se projekti kishte kufizime pas raportimeve se më shumë se gjysma e artikujve duhej të korrigjoheshin.

Bild ndërkaq ka thënë se synon të shmangë shkurtimet e detyruara aty ku është e mundur, por po kërkon të shkurtojë listën e pagave editoriale me rreth 200 vende pune.

Email-i u nënshkrua nga katër drejtues të lartë në gazetë, duke përfshirë kryeredaktorët Marion Horn dhe Robert Schneider.

Masa të ngjashme mund të priten përfundimisht në të përditshmen kryesore të grupit Springer Die Welt.

Ndërkohë, Shoqata Gjermane e Gazetarëve (DJV) ka kritikuar planet e Springer, duke paralajmëruar se shkurtimet e vendeve të punës në Bild janë “jo vetëm antisociale ndaj punonjësve, por edhe jashtëzakonisht budallallëk ekonomikisht”.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore