Kosova

Szunyog viziton Mitrovicën e Veriut: Rregullorja e BQK-së preku seriozisht komunitetin serb


Tomas Szunyog në Mitrovicë të Veriut

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovës, Tomas Szunyog, të premten ka vizituar Mitrovicën e Veriut, ku ka takuar përfaqësuesit e Qendrës Klinike Spitale dhe të Shkollës “Sveti Sava”, me të cilët ka diskutuar mbi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndaloi përdorimin e valutës shtetërore serbe, Dinarin, për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.

“Ky vendim së bashku me çështje të tjera të kahershme kanë prekur seriozisht popullatën serbe të Kosovës dhe komunitetet tjera në mbarë Kosovën dhe pengon ofrimin e shërbimeve bazë”, ka thënë Szunyog, raporton zyra e BE-së në Kosovë.

Çështje të tilla, sipas Szunyog, duhet të adresohen urgjentisht në dialog.

Gjatë qëndrimit në Mitrovicë të Veriut, Szunyog, ka vizituar edhe nënstacionin e Vallaqit dhe selinë e Elektroseverit,

“Faturimi i energjisë elektrike në Veri të Kosovës është një hap i rëndësishëm përpara në procesin e normalizimit”, ka thënë Szunyog.

Ai nga këtu u ka bërë thirrje serbëve që të fillojnë të paguajnë faturat e rrymës.

“U bëj thirrje njerëzve që të regjistrojnë llogaritë e tyre dhe të fillojnë të paguajnë faturat e tyre”, theksoi ambasadori Szunyog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore