Lajme

Szunyog: Procesi zgjedhor në Kosovë të përmirësohet me ligje të reja


Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, ka kërkuar që procesi zgjedhor në Kosovë të përmirësohet përmes ligjit dhe rregullave të reja.

Szunyog në shënimin e Ditës Globale të Zgjedhjeve me temën “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”, që është organizuar nga KQZ-ja, u shpreh se do të punojnë për të përmirësuar Kosovën në këtë drejtim.

“Nuk është vetëm detyrë e KQZ-së që të sigurojnë se zgjedhjet janë të mbajtura me integritet por është edhe detyrë e qytetarëve. Integriteti zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe është e rëndësishme të dimë që çdo votë shkon aty ku duhet”.

Këtë kërkesë Szunyog e ka bërë për shkak të kaluarës së Kosovës lidhur me procesin zgjedhor.

“Kemi pas edhe raste kur kemi pas disa mashtrime në zgjedhje dhe kjo ka luhatur besimin e njerëzve në proceset zgjedhore dhe në sistemet demokratike. Kosova është përmirësuar shumë në këtë fushë”.

“Më lejoni që ta theksoj se ne jemi të interesuar që ta shikojmë përmirësimin e procesit zgjedhor në pajtim me standardet ndërkombëtare. Dëshirojë ta shikoj këtë proces të përmirësuar dhe kompletuar me një ligj të ri dhe rregulla të reja“, deklaroi Szunyog.

Kryetari i këtij komisioni Kreshnik Radoniqi tha për reformën zgjedhore se e sheh si një “mundësi të madhe” për të adresuar sfidat me të cilat përballet KQZ-ja.

“Reformën zgjedhore e shohim si një mundësi të madhe për të adresuar të gjitha sfidat me të cilat është përballur ky institucion prej kaq kohësh. Pavarësisht arritjeve të mëdha që Kosova ka shënuar gjatë proceseve zgjedhore nga viti në vit, është e natyrshme që ato të përmirësohen vazhdimisht dhe natyrisht të ndryshohen edhe ligjet për t’u përshtatur zhvillimeve“, është shprehur ai.

Në këtë takim ishte e pranishme edhe drejtoresha për demokratizim në OSBE, Pascale Roussy.

Ndryshe, reforma zgjedhore është parë si proces i domosdoshëm edhe nga njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre kjo ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ndonëse nisi si proces vite më parë, në mungesë të vullnetit nga të gjitha partitë politike, kjo iniciativë mbeti në gjysmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore