Lajme

Szunyog: Kosova ta zbatojë aktgjykimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit


Tomasz Szunyog në Manastirin e Deçanit

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili gjatë ditë së enjte e ka vizituar Manastirin e Deçanit ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me Manastirin në fjalë.

Sipas tij toleranca dhe respekti i ndërsjellë është çelësi për një shoqëri multietnike dhe demokratike.

“I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Të drejtat pronësore të Manastirit duhet të respektohen”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim që manastirit të Deçanit t’i njohë pronësinë e 24 hektarëve tokë.

Mirëpo, ky vendim ka hasur në kundërshti me komunën e Deçanit si dhe ka ngjallur protesta të shumta qytetare.

Ndërkaq, edhe Shkodran Imeraj, nënkryetar i Shoqatës së historianëve të Kosovës, këtë vendim të Kushtetueses e kishte kundërshtuar.

“Kuvendi i Serbisë në vitin 1997 ia ka dhuruar këtë tokë manastirit. Pas luftës, në vitin 2002 është nënshkruar një marrëveshje me UNMIK-un. Mbi këtë dokument janë marrë edhe vendime të tjera, ndërsa tani ato konfirmohen nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi është në kundërshtim me Planin e Ahtisarit, ndaj duhet të anulohet”, kishte deklaruar ai.

Ndryshe edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, gjatë një vizite në Manastirin e Deçanit, kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet të implementojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi pronën e Manastirit të Deçanit.

“Toleranca dhe respekti i ndërsjellë janë thelbi i një shoqërie shumë-entike”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në Twitter.

“Trashëgimia e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota, prandaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili është vonuar për një kohë të gjatë, sepse sundimi i ligji do të thotë trajtim i barabartë për të gjithë”, ka shkruar më tej.

Viola von Cramon në Manastirin e Deçanit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore