Lajme

Szunyog: BE nuk është në gjendje të monitorojë zgjedhjet në Veri, por jemi në konsultime me KQZ-në


Shefi i misionit përcjellës të zgjedhjeve të BE, Lukas Mandl dhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE), Tomas Szunyog, në një konferencë të përbashkët me shefin e misionit përcjellës të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Lukas Mandl ka thënë se Bashkimi Evropian, nuk është në gjendje të angazhojë një mision të plotë për këto zgjedhje.

“Për shkak të kohës se shkurtër mes shpalljes dhe datës së caktuar ne nuk do të jemi në gjendje të angazhojmë një mision të plotë për këto zgjedhje por jemi ende në konsultime me KQZ, autoritetet e tjera dhe Brukselin se çfarë do të bëjmë”, ka thënë ai.

Kurse, tha se presin rezultate gjithëpërfshirëse sa i përket reformës zgjedhore, duke e quajtur vendim të duhur miratimin e Ligjit për financimin e partive politike.

“Me këtë mision pasues të zgjedhjeve BE, ka vëzhguar zgjedhjet nga vitit 2013 dhe ka dalë me rekomandime se si të përmirësohej procesi zgjedhor”.

“Ne kemi ndihmuar themelimin e Komisionit për reformë zgjedhore dhe pres vendimin për ta themeluar këtë komision Ad-hoc. Dëshirojmë, të shohim rezultate gjithëpërfshirëse një hap i madh është arritur këtë verë me miratimin e Ligjit për financimin e partive politike. Zyra e BE-së, vazhdon të mbështes komisionin dhe reformën”.

Shefi i misionit përcjellës të zgjedhjeve të BE, Lukas Mandl dhe ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

Shefi i misionit përcjellës të zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Lukas Mandl sqaroi edhe arsyejen e vizitës së tij në Kosovë.

“Vizita ime në Prishtinë në mënyrë specifike ka të bëjë me misionin vëzhgues të zgjedhjeve nga viti 2021. Zyra e BE është gjithmonë këtu që të përcjellë rekomandime për zgjedhje komunale. Qëllim është të raportojë për rekomandimet që janë implementuar për reformën e zgjedhje”, tha ai.

Ai gjatë kësaj konference tha se është momenti i duhur që Kosova të merr parasysh rekomandimet e BE-së.

Ndërsa theksoi se do të kontribuojnë në reformën zgjedhore, për këtë edhe janë takuar me përfaqësues të institucioneve e shoqërinë civile.

“Duket që është moment i duhur që Kosova, të merr parasysh rekomandimet e BE. Misioni ka propozuar 23 rekomandime. Rekomandimet, fokusohen në regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, reklamimet në platforma online. Ne do të dalim me raport ku do të përmendim rekomandimet nga misionet e mëhershme”.

Këto deklarata Mandl dhe Szunyog i kanë bërë, përmes një konference për media ku kanë prezantuar gjetjet preliminare dhe konkluzione mbi gjendjen e zbatimit të rekomandimeve të Misionit të Bashkimit Evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2021.

Komisioni Ad-Hoc, për reformën zgjedhore në Kosovë, ka mbajtur mbledhjen me 29 nëntor në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), OSBE, përfaqësues nga ambasadat e huaja për të prezantuar rekomandimet e KQZ-së në këtë Komision.

Kryetari i Komisionit Ad-Hoc, Abelard Tahiri, ka thënë se konsensusi brenda partive ekziston dhe se janë të gatshëm që shumë shpejt draftin ta dërgojnë në Kuvend.

Reforma zgjedhore është parë si proces i domosdoshëm edhe nga njohës të fushës së drejtësisë në Kosovë.

Madje sipas tyre kjo ka qenë edhe kërkesë e vazhdueshme e institucioneve ndërkombëtare.

Ndonëse nisi si proces vite më parë, në mungesë të vullnetit nga të gjitha partitë politike, kjo iniciativë mbeti në gjysmë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore