Kosova

“Synimi i Vuçiç’it është mos-realizimi i propozimit franko-gjerman, kështu ai mbetet në pushtet”


Ilustrim: Albin Kurti dhe Aleksnadër Vuçiç

Për analistin politik, Agon Maliqi, synimi i Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është mos-realizimi i kornizës së re të dialogut, apo siç po quhet ndryshe propozimit franko-gjerman, në atë mënyrë që faji për këtë dështim të mbetet edhe Kosovës.

Vuçiç, në një konferencë për media pas përfundimit të takimit me përfaqësuesit e Listës Serbe në kuadër të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka bërë të ditur se Beogradi zyrtar, tashmë po përgatitet të dërgojë përgjigje zyrtare Francës dhe Gjermanisë, për propozimin franko-gjerman, duke theksuar se në këtë propozim të cilën Albanian Post, e kishte publikuar më 18 shtator ka gjëra që Serbia nuk mund t’i pranojë.

E sipas, Maliqit, mos-realizimi i propozimit franko-gjerman, i cili është edhe synimi i Vuçiç’it, Serbisë ia siguron mundësinë për ta vazhduar balancimin mes perëndimit dhe Rusisë.

“Synimi i Vuçiç’it është që të mos realizohet propozimi franko-gjerman, por që ky dështim të bëhet asisoj që në sytë e perëndimit faji t’i mbetet edhe Kosovës. Mos-realizimi i propozimit franko-gjerman Vuçiç’it ia garanton pushtetin”, ka shkruar Maliqi në Facebook.

Agon Maliqi

Albanian Post, më 20 tetor ka publikuar skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.

Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Përpos këtij skenari, Albanian Post, më 18 shtator ka publikuar edhe propozimin franko-gjerman.

Sipas këtij propozimi Në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Ky ishte plani i paraqitur në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz, të cilin e ka siguruar Albanian Post.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore