Lajme

Sveçla: Tri marrëveshjet e arritura me Shqipërinë, lehtësojnë jetën e qytetarëve


Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se tri marrëveshjet e arritura me Shqipërinë, që pëfshijnë dikasterin e tij do ta lehtësojnë jetën e qytetarëve në të dy shtetet.

“Janë marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e dy vendeve. E para është kalimi i lehtësuar i kufirit për banorët e brezit kufitar. Brez ky i cili është i gjerë 30 kilometra në Kosovë dhe 30 kilometra në anën e Shqipërisë”, deklaroi Sveçla për agjencinë e lajmeve KosovaPress.

Ai tutje ka sqaruar edhe rëndësinë e marrëveshjes së dytë dhe tretë të arritur mes dy qeverive.

“Marrëveshja e dytë kishte të bënte me leje të qëndrimit për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë, për shtetasit e Kosovën në Shqipëri veçse e kanë hequr. Me këtë marrëveshje jo vetëm që lehtësohen por edhe hiqen gjitha procedurat e tanishme të cilat kanë shkaktuar telashe për shtetasit e Shqipërisë në Kosovë”.

“Marrëveshja e tretë ka të bëjë me rikualifikimin e pikës kufitare në Shishtavec, ku nga tipi ‘c’ kalon në tipin ‘b’, kjo nënkupton punë 24 orësh dhe kalim i mallrave dhe shtetasve jo vetëm të kësaj zone edhe vendeve të treta”, thotë ai.

Çast nga çelja e sesionit plenar të mbledhjes mes dy qeverive Shqipëri-Kosovë.

Ministri i Punëve të Brendshme bëri të ditur se grupet punuese janë duke punuar në protokollet e këtyre marrëveshjeve.

“Është çështje ditësh kur ne do të bëjmë dizajnimin e lejes kalimit. Në Shishtavec do të fillojë punën me njëherë dhe çështja e lejeqëndrimit është çështje e kthimit në Prishtinë dhe dhënies direktivave që edhe kjo çështje të rregullohet”.

Duke u përgjigjur mbi kërkesën e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama për largim të tërësishëm të afatit kohor 5-vjeçar për lejeqëndrim, Sveçla thotë se nëse është e nevojshme ky kriter do të largohet në tërësi.

“Ne nuk e kemi problematike fare këtë, edhe në marrëveshje ekziston klauzola që edhe me marrëveshje protokollare mund të ndryshohet. Nëqoftëse shohim të nevojshme dhe si pengesë do të heqin edhe afatin 5-vjeçar”.

Foto gjatë sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Shqipëri-Kosovë, në ambientet e Fish City, Elbasan.

“Për ne me rëndësi është që shtetasit e dy vendeve mund të qëndrojnë, studiojnë dhe punojnë pa pengesa”, shton ai.

Për të shtatën herë, Qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës kanë vijuare traditën e mbledhjes së përbashkët.

Në qytetin e Elbasanit, në të premten e 26 nëntorit u mbajt takimi mes dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Mbledhja e përbashkët përmbushi, në fakt, premisat e takimit të fundit mes dy palëve.

Kishte ardhur momenti për konkretizimin e marrëveshjeve, të cilat nuk duhet të mbeteshin veç nëpër letra – çka u përsërit njëzëri nga dy përfaqësitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore