Kosova

Sveçla: Shëndeti i zyrtarëve policorë është prioritet shtetëror


Foto: Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se shëndeti i zyrtarëve policorë është “prioritet shtetëror”, kjo pas nënshkrimit të marrëveshjes që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shtetërore.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se zyrtarët policorë duhet të jenë në shërbim dhe të gatshëm duhet të jenë “në shërbim dhe të gatshëm në përmbushjen e detyrave në çdo kohë”.

Këto komete të Sveçlës vinë vetëm pak ditë pasi që Njësia Speciale Intervenuese (NjSI) protestoi për të shprehur pakënaqësitë e tyre të thella në lidhje me trajtimin e deritanishëm nga Qeveria e Kosovës, teksa edhe një protestë tjetër e kanë paralajmëruar më 7 nëntor.

“Trajtimi i tyre mjekësor me prioritet shkon në mbështetje të misionit të tyre. Pas një pune intensive sot u nënshkrua marrëveshja që siguron mbështetje të kualifikuar për kontrollet shëndetësore”, shkroi Sveçla.

“Zyrtarët policorë dhe rekrutët do të trajtohen me prioritet përfshirë edhe në listat e pritjes në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës pra dhe në të gjitha Spitalet Rajonale të Republikës së Kosovës”, shtoi.

Foto: Xhelal Sveçla

Kreu i MPB-së bëri me dije se të shtunën është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit mes drejtorit të ShSKUK-së, Elvir Azizi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Gazmend Hoxha, përmes së cilës personelit policorë dhe rekrutëve do të iu ofrohen me prioritet dhe pa pagesë shërbimet mjekësore, psikologjike dhe specialistike të nivelit dytësor dhe tretësor në ShSKUK dhe në të gjitha Spitalet Rajonale.

“Në këtë marrëveshje që ka në fokus dhënien e shërbimeve me prioritizim për personelin policorë i është dhënë rëndësi e veçantë dhe shëndetit të gruas në Policinë e Kosovës, përmes kryerjes së kontrolleve në zbulimin e hershëm të sëmundjeve si kanceri i gjirit dhe kanceri i qafës së mitrës, analizave specifike hormonale etj”, njoftoi Sveçla.

Tutje, ai theksoi se zbatueshmëria e kësaj marrëveshje do të garantohet përmes zyrtarëve policorë që do të vendosen si pika referuese për zyrtarët policor në ShSKUK dhe spitale rajonale.

Në përfundim ministri Sveçla ka falënderuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës “për gatishmërinë në shërbim të të gjithë rekrutëve dhe zyrtarëve të Policisë së Kosovës”.

NjSI sërish në protestë, kërkon takim direkt me Kurtin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore