Lajme

Sveçla: Policia është angazhuar për të sjellur para drejtësisë të dyshuarit për krime lufte


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori ekzekutiv i Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Policia e Kosovës, është e angazhuar seriozisht që të sjell para drejtësisë të dyshuarit që kanë kryer krime lufte.

Kështu është thënë përmes një komunikate pas takimit të ministrit me drejtorin ekzekutiv të Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës, Atdhe Hetemi.

“Ministri Sveçla e njoftoi Drejtorin Hetemi mbi angazhimin serioz dhe të suksesshëm të Policisë së Kosovës në sjelljen e të dyshuarve për krime lufte para drejtësisë dhe theksoi përkushtimin për bashkëpunim të ngushtë mes dy institucioneve”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme”, thuhet në komunikatë.

Ai ka konsideruar që instituti që udhëheq Hetemi ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive.

“Bashkëpunimi ndërinstitucional e veçanërisht mes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Institutit të Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë kontribuon në evidentimin e të gjitha dëshmive të krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë dhe ndihmon në sjelljen e të gjithë kryesve para drejtësisë”.

Të shtunën e 17 shkurtit është funksionalizuar Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë instituti pjesëmarrës ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ndër të tjera tha se me funksionalizimin e këtij instituti është përmbushur një obligim qeveritar.

Kurti ka ftuar të gjithë ata që kanë materiale të mbledhura mbi krimet e ndodhura gjatë luftës t’i dorëzojnë këtij instituti, i cili më pastaj do t’i arkivojë të njëjtat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore