Lajme

Sveçla për “The Guardian”: Terroristët erdhën nga Serbia – financohen dhe pajisen nga ushtria serbe


Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, në një prononcim për “The Guardian”, ka thënë se grupi terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ka ardhur nga Serbia, teksa ka shtuar se “ata janë të trajnuar në Serbi, të financuar nga ata dhe gjithashtu të pajisur nga ushtria e Serbisë dhe policia e saj”.

“Një pjesë e armëve janë marrë nga magazinat e ushtrisë dhe janë dorëzuar te terroristët që kanë ardhur në Kosovë nga Serbia”, theksoi Sveçla.

Kreu i MPB-së njoftoi se dikasteri që ai e drejton i kishte ndarë provat me ambasadat e huaja dhe agjencitë perëndimore.

“Ajo që ata donin të bënin është të kapnin territorin e Kosovës dhe të hapnin një kanal të ri komunikimi, një rrugë të re nga Serbia në Kosovë”, pohoi ai, duke shtuar se qëllimi përfundimtar ishte ndarja e vendit.

Ndërsa, në sulmin terrorist të 24 shtatorit, ku mbeti një polic i vrarë, pas disa pamjeve të publikuara nga policia, u vërtetua se një nga pjesëmarrësit, apo drejtues i këtij grupi kriminal, ishte nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiç.

Policia publikon pamjet: Radojiçiç ishte një nga të ngujuarit brenda manastirit në Veri

Çka ndodhi të dielën e 24 shtatorit në Veri?

Në fshatin Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator ndodhën sulme terroriste ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra polici Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti si dhe u lëndua një tjetër.

Pas kësaj Policia e Kosovës reagoi duke kërkuar nga terroristët të dorëzohen, ata refuzuan të dorëzohen duke vazhduar sulmet me armë ndaj policisë.

Nga gjuajtjet me armë zjarri, katër terroristë u vranë, dy janë arrestuar, dhe katër persona tjerë janë arrestuar për përfshirje.

Lidhur me sulmet terroriste, Policia ka sekuestruar arsenal armësh në Zveçan, të cilat u publikuan gjatë ditës së hënë.

Ky sulm terrorist është dënuar nga të gjithë vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, teksa kanë kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore