Lajme

Sveçla për policin që vdiq në Veri: I kishte rezistuar bllokimit 19 ditor në Jarinje pas arrestimit të Pantiç-it


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se “me pikëllim të thellë” e ka pranuar lajmin e ndarjes nga jeta të zyrtarit policor Rexhep Sejdiu gjatë kohës që ishte në detyrë në Stacionin e Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të Kufirit në Jarinje këtë të diele.

“Rexhep Sejdiun do ta kujtojmë si zyrtar të përkushtuar e të palodhur, të angazhuar në luftë kundër çdo kriminaliteti veçanërisht viteve të fundit në veriun e vendit tonë si pjesëtar i Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë të kufirit. Bashkë me kolegët e tij, Rexhepi para një viti i rezistoi me qëndrueshmëri bllokimit 19 ditor në Jarinje pasi kishin arrestuar ish-zyrtarin policor Dejan Pantiç, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai tutje ka theksuar se Sejdiu do të mbetet “përherë në mendjet e të gjithë neve që kishim fatin ta takonim”, duke shtuar se i ndjeri ishte gjithnjë në nivel të detyrës e kolegëve që punuan e shërbyen çdo ditë bashkë me të.

“Shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së tij, nënës, bashkëshortes e fëmijëve të tij. Të gjithë kolegëve e Policisë së Kosovës për humbjen e pjesëtarit të tyre”, shtoi kreu i MPB-së.

Ndërsa ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë për Albanian Post se Sejdiu ishte gjetur pa shenja jete nga kolegët e tij.

“Ka qenë duke pushuar në vendin e tij të punës. Të hënën do i bëhet autopsia. Ka shumë gjasa që vdekja të jetë natyrale. Varrimi i të ndjerit bëhet nesër”, tha Elshani.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore