Kosova

Sveçla: Nuk aplikojmë këtë vit për anëtarësim në Interpol


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se Kosova nuk do të aplikojë për anëtarësim në Interpol gjatë vitit 2021. Por, ka bërë të ditur se kjo ministri është në përgatitje që në vitin e ardhshëm Kosova të bëhet anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare.

Sveçla ka theksuar se se do të fillojnë me përgatitjen e strategjisë për lobim, me ç’ rast do të kërkojnë mbështetjen e aleatëve në këtë proces.

“Kam marrë vendim që në sesionin e këtij viti nuk do të aplikojmë për anëtarësim në INTERPOL, duke parë mungesën e përgatitjeve serioze nga institucionet e Kosovës. Tashmë kemi krijuar grupin punues, i cili do të përgatisë të gjithë dokumentacionin, por edhe do të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm që anëtarësimi i Kosovës në vitin e ardhshëm të jetë i sigurt”, është shprehur ai në një intervistë për Kosovapress.

“Do të kontaktojmë së pari me aleatët tanë, ku nuk do të bisedojmë për votën e tyre, por për mbështetjen e tyre në këtë proces. Pastaj do të kalojmë shtet për shtet së bashku me MPJ-në, që dobitë që jo vetëm Kosova, por edhe rajoni dhe gjithë bota demokratike do të ketë prej anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL”, shtoi Sveçla.

Sa i përket çështjes së afganëve të strehuar në Kosovë, Sveçla ka thënë se janë duke punuar që në ditët në vijim një numër i refugjatëve afganë të udhëtojnë drejt destinacioneve të tyre.

“I gjithë procesi është duke vazhduar pa ngecje e pa dështim. Momentalisht kemi më pak se një mijë afganë në Kosovë dhe se tashmë jemi duke punuar që një pjesë e tyre të udhëtojnë nga Kosova në vendet e tjera”.

Rritja e numrit të vrasjeve në Kosovë, veçmas ndaj grave, sipas tij, hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës bartin armë të paligjshme në duart e tyre.

“Prioritet për ne është dhuna në familje dhe për këtë ka procedura të veçanta, si të raportimit po ashtu edhe të ndërmarrjes së hapave të nevojshëm për sa i takon vrasjeve në përgjithësi. Tashmë kemi iniciativat e para për të ndryshuar ligjin për armët dhe kodin penal me të cilin masat ndëshkimore ndaj atyre të cilët mbajnë armë pa leje të jenë më të larta, më të ashpra në mënyrë që të dekurajojmë mbajtjen e armës nga qytetarët”.

Po ashtu, ai tregoi se deri ku kanë shkuar hetimet për rastin e vrasjes së dyfishtë në Pejë, ku të mërkurën u vranë kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj, dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Deçanit, Bashkim Kadrijaj. Ndërsa është arrestuar vëllai i Ademajt, i cili u plagos në këtë ngjarje.

“Tashmë kemi informacione të bazuara mbi atë se çfarë ka ndodhur në këtë rast. Është çështje e hetimeve që në plotni të zbulohen të gjitha rrethanat dhe të veprohet bazuar në këto të gjetura. Edhe kjo vrasje hynë në kuadër të situatës së rënduar, të pavolitshme, ku një numër i madh i shtetasve të Kosovës kanë qasje apo edhe bartin armë të paligjshme në duart e tyre dhe kjo duhet të ndërpritet”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore