Kosova

Sveçla nënshkruan një Udhëzim Administrativ për Trepçën: Si Qeveri do të ndërmarrim çdo hap për të zhvilluar ndërmarrjen


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, të mërkurën, ka njoftuar se ka nënshkruar një Udhëzim Administrativ me kërkesë të ndërmarrjes publike, Trepça, me qëllim të rritjes së kapaciteteve të nxjerrjes së xehes në Minierën e Stan Tërgut.

Me këtë Udhëzim Administrativ, sipas Sveçlës, do të mundësohet trajnimi dhe certifikimi i “minandezësve nga institucionet tona, aq sa do të jenë të nevojshëm për Trepçën”.

“Falënderoj grupin punues që në afat rekord kanë punuar këtë dokument të rëndësishëm që ka adresuar në plotni kërkesat e punonjësve të Trepçës. Si Qeveri do të ndërmarrim çdo hap të nevojshëm që Trepça të ngritet e të zhvillohet”.

Ndryshe të hënën menaxhimenti i ndërmarrjes publike Trepça, nëpërmjet një vendimi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në këtë ndërmarrje.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas menaxhimentit, ka ardhur si pasojë e grevës së minatorëve.

Menaxhimenti gjithashtu ua ka pezulluar pushimet e planifikuara për shtator, tetor e nëntor të minatorëve.

Arsyetimi për këto vendime ka qenë mungesa e aktivitetit për afër një muaj e dhjetë ditë në këto njësi, ku sipas tyre, ka pasur humbje të mëdha në prodhim dhe ndalesë në realizimin e planit të biznesit.

Për më shumë se dy muaj minatorët e kompleksit metalurgjik “Trepça”, nuk arritën t’i marrin pagat,

Për shkak të mungesës së financave, Albanian Post raportoi se minatorët kishin gjendje të rënduar psikologjike e financiare.

Pas kësaj gjendjeje të krijuar Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të radhës më 14 gusht mori vendim që të ndahen mbi 4 milionë euro për ndërmarrjen publike “Trepça”.

“Për ndërmarrjet publike do të ndajmë 4 milionë euro dedikuar për mbështetjen ndaj Trepçës, në mënyrë që të tejkalohet kriza aktuale ku ndërmarrja nuk ka arritur të sigurojë pagat. Duket se ka shumë punëtorë mbi tokë për xehet e pakta të nxjerra nga nëntoka”, kishte thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës.

Në ndërkohë brenda dy javëve të fundit menaxhimenti i Trepçës me vendim të Ushtruesit të Detyrës së Kryeshefit ekzekutiv, Faton Ahmeti, largoi nga puna më shume se 13 minatorë me arsyetimin se kanë “kryer shkelje të rënda të detyrave të punës” pa e specifikuar konkretisht për çfarë shkelje bëhet fjalë.

Megjithatë Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës garantoi se këto largime nga puna nuk kanë të bëjnë fare me shprehjen pakënaqësive përmes protestave apo ndonjë hakmarrje në drejtim të pakënaqësive të tyre.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore