Lajme

Sveçla me homologun çek, dakordohen për bashkëpunim policor e siguri në rajon


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me homologun nga Çekia, Vit Rakusan.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë qëndrimit të tij në Çeki, ku është duke marrë pjesë në Ministerialin e Katërt të Procesit të Pragës, është takuar me zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës Çeke, Vit Rakusan.

Këtë e ka bërë të ditur MPB-ja përmes një komunikate për media.

“Ministri Sveçla e ka njoftuar homologun e tij me prioritetet dhe rezultatet e arritura në fushën e luftimit të krimit e korrupsionit, migrimit të paligjshëm dhe kontrabandës në përgjithësi, si dhe angazhimin e Qeverisë së Kosovës për të shtyrë përpara proceset e integrimit evropian”, thuhet në komunikatën për media.

Gjithashtu, ministri Rauksan përgëzoi institucionet e Kosovës për rezultatet në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me homologun nga Çekia, Vit Rakusan.

“Rezultatet e dukshme të arritura kohën e fundit në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe konfirmoi përkrahjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës Çeke në proceset integruese, përfshirë edhe procesin e liberalizimit të vizave”.

Ndërkaq, të dy gjatë këtij takimi u dakorduan që të ketë numër më të madh të bashkëpunimeve.

“Të dy bashkëbiseduesit u dakorduam që dy vendet kanë potencial shumë të madh për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha, me theks tek bashkëpunimi policor, shkëmbimi i informacioneve dhe fushave tjera me interes të përbashkët për të kontribuuar së bashku për sigurinë në rajon dhe më gjerë”.

Sveçla ka marrë pjesë edhe në punimet dy ditore të Ministerialit të Katërt të Procesit të Pragës “Partneriteti i Migracionit – Rruga përpara në kohë sfidash të reja”, i cili është duke u mbajtur në Pragë.

Edhe më 21 tetor, Sveçla kishte qëndruar në Gjermani ku kishte marrë pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, përgjegjës për siguri të brendshme dhe migrim.

Kërkesë e ministrit në këtë takim kishte qenë që edhe Kosova të trajtohet barabartë nga Bashkimi Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore