Kosova

Sveçla kujton Triumf Rizën në 17 vjetorin e vrasjes, s’guxon ta përmend Enver Sekiraqën  


Xhelal Sveçla

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, i shoqëruar me drejtorin e Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të premten kanë kujtuar zyrtarin policor, Trium Riza në 17 vjetorin e vrasjes së tij.

Megjithatë, Sveçla, nuk ka përmendur fare, Enver Sekiraqën, i dënuar me 25 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për nxitje në vrasjen e ish-policit, Trium Riza, i cili që nga maji i këtij viti është në arrati.

“Jemi dëshmitarë se ende nuk është vendosur drejtësia e plotë me këtë rast, gjë që na obligon të gjithëve që të punojmë pandalshëm që ajo të ndodhë jo vetëm si shpagim për krimin e bërë por edhe si parandalim që kohërat e situatat e tilla të mos na përsëriten më”, shkroi Sveçla në platformën sociale, Facebook.

Ndryshe pas arratisjes së Sekiraqës nga Kosova, avokati i Besnik Berishës, deklaroi se klienti i tij është larguar nga Kosova me dijeninë e autoriteteve kosovare.

Se Sekiraqa, njeri i mirënjohur nga bota e krimit në Kosovë, i ka ikur drejtësisë, u mor vesh kur Policia e Kosovës kishte shkuar në banesën e tij për ta rikthyer në paraburgimin obligativ, pasi kështu vendosi Gjykata e Apelit duke rrëzuar vendimin paraprak që thoshte se ai mund ta vazhdojë fazën tjetër deri në vendim përfundimtar me një masë të arrestit shtëpiak.

Derisa “habinë” për situatën shprehu edhe vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një mbledhje qeveritare, ku edhe fajësojë sistemin për krijim të mundësisë për arratisjen e Sekiraqes, avokati Berisha tha në emisionin “Five” në Dukagjin se në fakt shteti e ka ditur se Sekiraqa po largohet.

“Shteti e dinë sepse nuk ka dalë duke fluturuar, ka kaluar nëpër pikat pika kufitare si qytetar”, deklaroi.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 3 maj e kishte dënuar me 25 vjet burgim Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e policit Triumf Riza.

Enver Sekiraqës paraprakisht i ishte ndryshuar edhe masa e sigurisë duke u lënë të mbrohet në liri.

Ndryshe Albanian Post raportoi se me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale që u inicua nga Qeveria e Kosovës, në vitin 2023 u largua edhe dispozita e paraburgimit obligativ – që mundësonte paraburgimin e një personi kur dënimi ndaj të njëjtit caktohej mbi 5 vjet.

Me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, dispozita u largua dhe për këtë arsye gjyqtarët kanë bazë ligjore të mos e caktojnë paraburgimin edhe kur caktojnë burgim me dënim të përjetshëm.

Avokati Ardian Bajraktari, kishte qenë pjesë e grupit punues të këtij kodi.

Ai tha për Albanian Post se arsyeja e largimit të ndryshimit të Kodit të Procedurës Penale u bë për shkak se vlerësohej se paraburgimi i shqiptuar i dënimeve bëhej në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

“Paraburgimi obligativ shqiptohej kur dënim ishte me më shumë se 5 vjet burgim, sikurse ka qenë në Kodin paraprak të Procedurës penale. Pas shumë debateve dhe diskutimeve që janë zhvilluar nga grupi punues është vlerësuar se paraburgimi i shqiptuar në këtë mënyrë është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare si dhe në kundërshtim me të drejtat dhe liritë e njeriut, prandaj i është lënë gjykatës në diskrecion”, thotë Bajraktari për AP.

Sekiraqa ishte dënuar dy herë me burgim për të njëjtat akuza në të kaluarën, në vitin 2016 me 37 vjet burgim, ndërsa më 2019 me 30 vjet burgim, por Apeli i rrëzoi secilin prej atyre dënimeve duke e kthyer dhe rikthyer rastin në rigjykim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore