Kosova

Sveçla kërkon sjelljen e drejtësisë pa vonesë për vrasjen në Ferizaj


Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas vrasjes së gruas në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj nga ish-bashkëshorti i saj të premten, duke thënë se këto raste janë thirrje për reflektim si në institucione ashtu edhe në shoqëri.

Sveçla, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se veprimet që i takojnë Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), do të ndërmerren.

“Përkundër përpjekjeve për rritjen e sigurisë për vajzat dhe gratë, rastet si vrasja e sotme, janë thirrje për reflektim për të gjithë ne, si institucione dhe si shoqëri”.

“Përgëzoj Policinë e Kosovës për reagimin e shpejtë në arrestimin e dorasit dhe do të kujdesem që të ndërmarrim gjithçka që na takon si Ministri e Punëve të Brendshme në zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit dhe përgjegjësisë së secilit zyrtar. Pavarësisht arrestimit të dorasit, është e domosdoshme sjellja e drejtësisë pa vonesë”, ka shkruar ai.

Edhe misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka dënuar vrasjen e gruas 21-vjeçare nga ish-bashkëshorti dhe plagosjen e 15-vjeçarit në Ferizaj.

“Kërkojmë nga Policia e Kosovës që ta arrestojë të dyshuarin në atë që duket të jetë femicid”.

“Do të vijojmë të punojmë pamëshirshëm me partnerët tanë për ta luftuar dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

Çka ndodhi?

Të premten e 12 prillit nga Policia e Kosovës, u konfirmua për vrasjen e një gruaje në Ferizaj në Qendrën për Punë Sociale dhe një person tjetër mbeti i lënduar.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Me datën 12.04.2024 në ora 14:40 kemi pranuar një informatë se në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj ka të shtëna me armë zjarri . Për pasoj nga të shtënat e armës së zjarrit një person e gjinisë femërore ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo është konfirmuar nga mjekët kujdestarë”.

Më pas nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, u bë e ditur se i dyshuari kryesor për vrasjen është ish-bashkëshorti i saj.

“Për momentin nuk kemi informacione, mirëpo dyshojmë që motivi është te një mosmarrëveshje mes ish-bashkëshortëve. Ata janë takuar afër Qendrës për Punë Sociale dhe aty ka ndodhur rasti. Personi ish-bashkëshorti është arrestuar”, ka thënë kryeprokurori Shukri Jashari në një deklaratë për media.

Ndërsa përmes një komunikate për media nga Prokuroria është thënë se i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprën penale “Vrasje”.

“I dyshuari në këtë rast, me iniciale V.A., me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48-orësh për shkak të dyshimit të veprës penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.

Përmes një komunikate për media, policia ka konfirmuar se dorasi i dyshuar që ka kryer vrasjen është 36 vjecar, ndërsa viktima 21 vjeçare.

Ndërsa plagë trupore ka pësuar një person i moshës 15 vjeçar, i cili për ndihmë mjekësore është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Nga policia është sqaruar se fillimisht i dyshuari është larguar në drejtim të panjohurm, por që më pas u arrestua.

“Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit e stacionit, hetuesit rajonal të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH) kanë identifikuar të dyshuarin V.A ( M/K) i moshës 36 vjeçar dhe menjëherë kanë rrethuar zonën përreth dhe pas një pune intensive në terren , në orën 15:15 kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin e kësaj ngjarje dhe e kanë shoqëruar në Sektorin Rajonal të Hetimeve në Ferizaj, për procedura tjera hetimore”.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale të lartëcekur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore