Lajme

Sveçla, IPK-së: Hetoni policët që u morën me rastin e gruas shtatzënë


Ilustrim

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, ka lajmëruar se ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e rastit të ndodhur të mërkurën, ku ka mbetur e vrarë një grua shtatzëne në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës”, ka shkruar Sveçla.

Sveçla më tej ka bërë të ditur se nga Policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë të kriminelit dhe vrasësit, Sokol Halili.

“Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces. Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër”, ka shtuar ai.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Në anën tjetër i dyshuari S.H nga Shtimja, i cili dyshohet se vrau ish-bashkëshorten e tij shtatzënë, H.M mbrëmjen e të mërkurës në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë, vazhdojnë të jetë në arrati.

Kështu thuhej në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Teksa rasti vazhdon të jetë në hetime nga njësitet kompetente policore.

Gjykata Themelore e Ferizajt, ka bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje.

Në njoftim thuhej se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

Pas rastit në fjalë të enjten ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka pasur një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin e ngushtë ndërministror.

Me të përfunduar diskutimi në fjalë, Haxhiu në një konferencë për media, rastin në fjalë e ka cilësuar si papërgjegjësi institucionale, pasi prokurori kishte marrë vendim për lirimin e dorasit në këtë rast.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore